Në paralajmërimin për takimin e kryenegociatorëve më 4 prill, nga Brukseli u bë e ditur se BE-ja ka nisur tashmë një pjesë të punës në lidhje me çështjen e kapitullit 35 për Serbinë. Ky kapitull, i cili do t’i përmbajë të gjitha obligimet nga marrëveshja me Kosovën, zyrtarisht bëhet më i rëndësishmi kur bëhet fjalë për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, raporton RTK. Në këtë mënyrë, Beogradi nuk mund t’u ikë obligimeve edhe pse shpesh potencohet se asgjë nuk ka nënshkruar dhe se marrëveshja është pranuar vetëm verbalisht. Dragisha Mijaçiq, Koordinatori i Grupit Punues për Kapitullin 35. “Ai kapitull ka një klauzolë pezulluese që nëse nuk ka përparim, atëherë pezullohen negociatat për të gjithë kapitujt e tjerë. Kapitujt 23 dhe 24, të cilët i referohen reformave në drejtësi dhe të drejtave themelore, kanë gjithashtu një klauzolë të tillë. Tani që marrëveshja është pranuar, versioni i ri i 35-es do të ketë detyrime të Serbisë nga procesi i normalizimit”, tha ai. Nëse obligimet formale të Serbisë tani janë më të qarta, publiku në Serbi ngre edhe pyetjen nëse zbatimi i marrëveshjes çon deri në njohjen formale të Kosovës”, tha ai. Sllobodan Stupar, ish-gazetar i BBC-së. “Kjo marrëveshje i jep fund paqartësisë së të ashtuquajturës njohje të Kosovës, e cila ka 23 vjet që është jashtë Serbisë, pra për Serbinë Kosova është shtet i huaj. Prej 23 vitesh, kjo qeveri kërkon dhe përpiqet në çdo mënyrë të realizojë konfliktin e ngrirë, për ta mbrojtur mbijetesën e saj në pushtet. Realiteti është që Serbia dhe Kosova kanë bërë një marrëveshje dhe se çështja e letrave ka përfunduar”, tha ai. Edhe pse mendohet se marrëveshja është përfundimtare dhe se BE-ja dhe Amerika janë të vendosura që ajo duhet të zbatohet nga Kosova dhe Serbia, askush në Beograd nuk mund ta parashikojë se cila do të jetë koha e zbatimit. RTK