Wednesday, November 27, 2024
HomeSHKENCA DHE JETADetaje të vendit të varrimit dhe mbrëmjes së fundit të Platonit

Detaje të vendit të varrimit dhe mbrëmjes së fundit të Platonit

Studiuesit italianë pretendojnë se një tekst i lashtë i sapodëshifruar mund të ketë zbuluar më në fund vendndodhjen e varrosjes së filozofit grek, Platoni. Të ashtuquajturat rrotullat e papirusit Herculaneum, të cilat u karbonizuan pasi u varrosën nën shtresat e hirit vullkanik pas shpërthimit të malit Vezuvius në vitin 79 pas Krishtit, vazhdojnë të ekzaminohen nga ekspertët duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknologji të tjera. Zbulimi i fundit është se Platoni besohet të jetë varrosur në një kopsht të fshehtë pranë faltores së shenjtë të Muzave brenda Akademisë Platonike të Athinës që ishte rezervuar për të, sipas Graziano Ranocchia, profesor i Papirologjisë në Departamentin e Filologjisë, Letërsisë dhe Gjuhës në Universitetin e Pizës. Më parë dihej vetëm se ai ishte varrosur në akademi, por jo konkretisht se ku, tha Ranocchia.

Akademia Platonike u shkatërrua në vitin 86 para Krishtit nga gjenerali romak Sulla. Teksti jep gjithashtu më shumë detaje rreth natës së fundit të Platonit dhe se ai nuk ishte adhurues i muzikës që luhej për të në shtratin e vdekjes. Më parë ishte menduar se të ashtuquajturat “nota të ëmbla” të luajtura nga një skllave nga Thraka ishin të këndshme për Platonin, thanë ekspertët në një prezantim në Napoli javën e kaluar. Por tekstet tani zbulojnë se në fakt, pavarësisht se kishte temperaturë të lartë në shtratin e vdekjes, ai zbuloi se muzika e flautit kishte një “ndjesi të dobët ritmi”, sipas Ranocchia, i cili tha se komentet ia bëri një mysafiri nga Mesopotamia.

“Ai kishte temperaturë të lartë dhe ishte i shqetësuar nga muzika që ata po luanin,” tha Ranocchia. Teksti i sapodeshifruar gjithashtu i jep më shumë qartësi rrethanave dhe mënyrës sesi Platoni u shit si skllav në vitin 399 para Krishtit pas vdekjes së Sokratit ose në 404 para Krishtit në ishullin Egina pasi ishulli u pushtua nga spartanët, tha Ranocchia në prezantim në Napoli. Më parë, mendohej se ai ishte shitur në skllavëri në 387 para Krishtit, ndërsa ishte në Siçili. Teksti është pjesë e rreth 1.800 rrotullave të karbonizuara të zbuluara në shekullin e 18-të në një ndërtesë që besohet se i përkiste vjehrrit të Julius Cezarit, i cili jetonte në Herculaneum, një qytet bregdetar rreth 20 kilometra nga Pompei.

Ekspertët po përdorin AI së bashku me tomografinë e koherencës optike, një teknikë imazherie infra të kuqe për të lexuar sekuencat e tekstit të fshehur më parë nga papiruset që ishin shkatërruar pjesërisht. Zbulimi i fundit erdhi nga një pasazh prej më shumë se 1000 fjalësh, rreth 30% e tekstit, që ishin deshifruar dhe ri-deshifruar gjatë vitit të kaluar, sipas Ranocchia, i cili prezantoi gjetjet në Universitetin e Napolit më 23 prill. RTSH

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments