Ministri i Financave në qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati tha sot se depozitat e ekonomive familjare në valutën euro për herë të parë tejkalojnë shifrën 4 miliardë euro, sipas raportit të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës për muajin gusht.
Në një postim në Facebook ai shkruan se në katër vitet e fundit, depozitat e ekonomive familjare janë shtuar për 1.51 miliardë euro, ose trefish më e lartë me “vitet paraprake gjatë qeverisjeve të kaluara”.
“Ky është tregues se rritja ekonomike është gjithëpërfshirëse e nuk po bëhet vetëm për biznese, por për të gjithë qytetarët. E kjo është gjë e mirë, sepse duke pasur më shumë para, ekonomitë familjare blejnë më shumë, gjë që shton qarkullimin e bizneseve, e përfundimisht edhe nevojën për rritje të punësimit.
Ngjashëm edhe buxheti i shtetit, përderisa në të kaluarën shërbente për pasurimin e disave, tani orientohet për shtesat e lehonave, shtesat e fëmijëve, mbështetje për studentë e pensionistë, barna esenciale, mbështetje për bujqit, por edhe siguri e mbrojtje”, ka shkruar Murati.