Dedë Gjo Luli, prijësi i kryengritjeve për mbrojtjen e tokës shqiptare

0
2

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot Heroin e Popullit, Dedë Gjo Luli (1840-1915).

Dedë Gjo Luli u dallua në luftën e organizuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për mbrojtjen e Hotit e të Grudës, që në bazë të vendimeve të Kongresit të Berlinit duhej t’i dorëzoheshin Malit të Zi.

Aftësitë e tij si organizator dhe prijës luftarak u shfaqën sidomos gjatë kryengritjes kundërosmane të vitit 1911.

Në bashkëpunim me qarqet atdhetare parashtroi Memorandumin e Greçës, kërkesën për autonominë territoriale-administrative të mbarë Shqipërisë. Edhe mbas Shpalljes së Pavarësisë, për shkak të gjendjes së krijuar nga luftërat ballkanike dhe nga vendimet e padrejta të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, Dedë Gjo Luli vazhdoi luftën për mbrojtjen e vendit dhe bashkimin kombëtar.

Më 24 shtator 1915 forcat serbo-malazeze e vranë pabesisht në Sheshëz afër Oroshit (Mirditë).