Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka publikuar sot axhendën zyrtare për sesionin pranveror, ku është konfirmuar edhe diskutimi për anëtarësimin e Kosovës. Sipas kësaj axhende, debati do të mbahet më 18 prill, nga ora 10:00-12:30, dhe aty do të prezantohet raporti nga raportuesja për Kosovën Dora Baokyannis, Azdeh Rojhan nga Suedia dhe Beatrice Fresko-Rolfo nga Monako. Pas debatit, pritet të ketë votim dhe nëse Kosova kalon me sukses këtë fazë, votimi që pritet të ndodhë në maj në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës do të jetë përcaktues nëse vendi do të anëtarësohet në KiE.
Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës rekomandoi më 27 mars anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë parakusht shtesë. Opinioni i Bakoyannis kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend, sipas nenit 5. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.