Shtetet e Bashkuara njoftuan tërheqjen e tyre nga UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.

“Vazhdimi i pjesëmarrjes së SHBA-së në UNESCO nuk është në interesin kombëtar”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, në një deklaratë duke e përshkruar agjencinë si ”të anshme kundër Izraelit” dhe që ”promovon kauza përçarëse”.

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay tha sot se “ndjen keqardhje të thellë” për vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të tërhequr përsëri Shtetet e Bashkuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën.

“Sado e trishtueshme që është, ky njoftim pritej dhe UNESCO është përgatitur për të”, tha Azoulay në një deklaratë.