Saturday, October 19, 2024
HomeSOCIALEKOSOVADASH: Lajçak përpjekje të palodhura për dialogun Prishtinë-Beograd

DASH: Lajçak përpjekje të palodhura për dialogun Prishtinë-Beograd

Departamenti Amerikan i Shtetit vlerësoi dje ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi, sipas VOA. Komentet erdhën si përgjigje ndaj një kërkesë të ”Zërit të Amerikës” për një reagim rreth pohimeve të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili akuzoi Lajçakun për njëanshmëri e qëndrime kundër Prishtinës, në takimin e javës së kaluar mes palëve. Kryeministri Kurti tha se u kishte dërguar letra mbi këtë çështje vendeve kryesore perëndimore ndërsa akuzoi Lajçakun ndër të tjera për “deformim të procesit”. Në përgjigjen drejtuar Zërit të Amerikës zëdhënësi i DASH-it nuk konfirmoi apo mohoi nëse letra kishte mbërritur në Uashington, por tha se “ne mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falenderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”. Po kështu zëdhënësi i DASH-it shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë. “Ne presim që të dy vendet t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre sipas marrëveshjes mbi rrugën drejt normalizimit, që arritën në fillim të këtij viti. Koha po mbaron. Ne duam të shohim përparim në detyrimet ekzistuese dhe të mëparshme bazuar tek dialogu (i lehtësuar nga BE-ja) dhe marrëveshja e Ohrit, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”, shtoi ai. Zëdhënësi i DASH-it e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut. Ai tha se SHBA do të konsultohet si brenda ashtu edhe me partnerët e tyre evropianë mbi hapat e ardhshëm./

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments