Rreziku i terrorizmit në Lojërat Olimpike në Paris ka shqetësuar ekspertët e sigurisë për muaj të tërë, duke pasur parasysh historinë e fundit të Francës dhe planin për të organizuar ceremoninë e hapjes të së premtes poshtë Lumit të Senës me turma të mëdha. Ministri i Brendshëm në detyrë i Francës, Gerald Darmanin hodhi poshtë shqetësimet për një rrezik të tillë të mundshëm – më pak se një javë para fillimit të Lojërave, në një intervistë për gazetën “Le Journal du Dimanche”. “Me sa dimë, nuk ka ndonjë kërcënim specifik për sigurinë e Lojërave Olimpike”, tha ai, duke shtuar se shërbimet e inteligjencës nuk kanë identifikuar ndonjë rrezik të afërt. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në Lumin e Senës siç ishte planifikuar, pavarësisht se një plan B është hartuar në rast kërcënimesh. Organizatorët shprehën gjithashtu besimin e tyre në “konceptin e sigurisë” përpara Lojërave nga 26 korriku deri në 11 gusht. “Ekziston një plan i veçantë për ceremoninë e hapjes dhe për çdo garë – për të garantuar sigurinë,” tha kreu i Paris 2024, Tony Estanguet në një konferencë për shtyp, duke shtuar se siguria e njerëzve ishte “prioriteti numër 1”. Policia dhe ushtria kanë rritur masivisht praninë e tyre në Paris përpara Olimpiadës. Franca shpalli nivelin më të lartë të alarmit terrorist në mars. Në fund të majit, hetuesit prishën planet për një sulm terrorist islamik në një ndeshje futbolli gjatë Lojërave.