Aktiviteti u zhvillua në kuadër të projektit “Creative Europe Desk Albania 2025–2027”, një nismë që bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, me synim për të fuqizuar sektorin kulturor dhe kreativ shqiptar përmes rritjes së kapaciteteve, partneriteteve ndërkombëtare dhe mundësive financuese.
Gjatë dy ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit morën udhëzime të personalizuara dhe praktike në lidhje me zhvillimin dhe formulimin e projektit; përputhjen e projekteve me prioritetet dhe fushat tematike të Creative Europe; kriteret e vlerësimit dhe elementet që e bëjnë një aplikim konkurrues; hartimin e buxhetit dhe strukturimin e partneriteteve ndërkombëtare; qartësimin e planit të punës dhe menaxhimin e rezultateve të synuara.
Sesioni u ndërtua mbi një qasje interaktive, ku aplikantët potencialë punuan mbi idetë e tyre konkrete dhe morën këshillim sipas nevojave specifike, duke rritur ndjeshëm cilësinë e aplikimeve në proces.
Kjo iniciativë synon të forcojë zinxhirin krijues në vend, të rrisë prezencën e artistëve shqiptarë në rrjetet evropiane, si dhe të nxisë bashkëpunimet ndërkombëtare në fushën e kulturës, medias dhe audiovizualit.
Gjatë vitit 2026, Creative Europe Desk Albania do të vijojë të ofrojë asistencë teknike dhe informim për thirrjet e ardhshme të programit, duke mbështetur komunitetin krijues në të gjitha fazat e zhvillimit të projekteve.





