Studimi, i kryer nga një ekip shkencëtarësh në disa universitete evropiane dhe amerikane, ka treguar se infeksionet respiratore nxisin “reaksione të forta inflamatore” në mushkëri, të cilat mund të ndryshojnë ekuilibrin mikromjedisor ku ndodhen qelizat e fjetura të kancerit.

Këto qeliza, të mbetura pas trajtimit me kimioterapi apo kirurgji , janë në gjendje gati për t’u aktivizuar, por qëndrojnë të qeta derisa të marrin një “sinjal biologjik” për t’u rikthyer në aktivitet.

Infeksione si Covid -19 apo gripi, sipas studiuesve, mund të shërbejnë pikërisht si një shtysë e tillë.

Kur trupi përballet me viruset, sistemi imunitar çliron citokina inflamatore, substanca që nxisin reagimin mbrojtës të organizmit.

Këto molekula, në vend që të kufizohen vetëm në luftën kundër virusit, mund të ndikojnë në zgjerimin e enëve të gjakut dhe në ndryshimin e indeve, duke krijuar kushte që lehtësojnë aktivizimin e qelizave të fjetura kancerogjene.

Për të testuar këtë hipotezë, studiuesit analizuan modele laboratorike dhe shtazore që kishin qeliza të kancerit të gjirit të përhapura në mushkëri, por në gjendje joaktive. Pas ekspozimit ndaj infeksioneve respiratore të ngjashme me covidin dhe gripin, u vu re se një pjesë e këtyre qelizave filluan të shumoheshin sërish, duke krijuar mikrometastaza, shkëndijat e para të rikthimit të sëmundjes.

Këto rezultate lidhen edhe me vëzhgime klinike tek pacientet, ku disa gra që kishin kaluar kancerin e gjirit përjetuan rikthim të sëmundjes pas një infeksioni të rëndë respirator.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se ende nuk ka prova përfundimtare që virusi të jetë shkaku i drejtpërdrejtë i rikthimit  për momentin, bëhet fjalë për një ndërveprim kompleks midis sistemit imunitar dhe qelizave të kancerit.

Sipas autorëve të studimit, këto gjetje nuk duhet të shkaktojnë panik, por të nxisin kujdes të shtuar tek personat që kanë pasur më parë kancer gjiri

Studiuesit gjithashtu po hetojnë mënyra për të bllokuar “zgjimin” e qelizave të fjetura nëpërmjet ilaçeve që pengojnë sinjalet inflamatore, një drejtim i ri që mund të hapë rrugë për trajtime parandaluese kundër rikthimit të kancerit.

“Rezultatet tona sugjerojnë se inflamacioni, sidomos ai i shkaktuar nga infeksionet virale, mund të luajë një rol më të madh se ç’mendonim më parë në aktivizimin e qelizave të kancerit”, tha një nga autorët kryesorë të kërkimit. “Nëse arrijmë të kuptojmë saktësisht këtë proces, mund të parandalojmë shumë rikthime të rënda në të ardhmen”.

Në fund, studimi kujton se mbrojtja e shëndetit të mushkërive dhe forcimi i sistemit imunitar nuk janë të rëndësishme vetëm për t’u mbrojtur nga viruset, por edhe për të ruajtur ekuilibrin delikat që ndalon rikthimin e sëmundjeve të rënda si kanceri i gjirit.