Në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës ka pasur kaq shumë udhëtarë që vijnë dhe nisen javët e fundit, saqë struktura tashmë është e ngopur dhe për këtë arsye po punohet për zgjerimin e saj, shkruan gazeta më e madhe italiane ”Corriere della sera”. ”Nuk është rastësi. Në pjesën e parë të vitit 2024 është aeroporti me rritjen më të shpejtë në Evropë, me mbi 200% krahasuar me vitin 2019”, thotë ”Aci Europe”. Falë bumit të flukseve turistike që bëri që të shfaqen disa linja ajrore, natyrisht. Por arsyeja kryesore qëndron në betejën e paprecedentë mes ”Ryanair” dhe ”Wizz Air” me tarifa aq të ulëta sa që e bëjnë Shqipërinë vendin me biletat më të lira ajrore në botë.
Është një sfidë që ka të bëjë mbi të gjitha lidhjet me Italinë: jo vetëm sepse këtu jeton një komunitet i madh shqiptar, por edhe sepse – siç u shfaq verën e kaluar – pati një sulm të vërtetë në plazhet shqiptare nga italianët. Çmimet për momentin shpesh e shohin ”Ryanair” si më të lirë. Edhe afër nisjes. Marrim një fluturim vajtje-ardhje Bergamo-Tiranë (15-20 maj). Me ”Wizz Air” kostoja është 59,98 euro, me ”Ryanair” 25,98 euro. Taksat e përfshira, ekstra të përjashtuara. Udhëtimi me irlandezët për 1 000 kilometra (në çdo drejtim) kushton pak më shumë se bileta e autobusit që kërkohet për të arritur në aeroportin e Bergamos nga Stacioni Qendror i Milanos (48 kilometra).
Specialistët nënvizojnë se bumi në Tiranë është një alarm i parë serioz veçanërisht për turizmin në Italinë e Jugut. Këtë vit, në fakt, me mbi 14 milionë vende në shitje, vetëm aeroporti shqiptar tejkaloi ofertën e kombinuar të dy aeroporteve të Pulias (Bari dhe Brindisi: 12,3 milionë) dhe atë të tre objekteve të Sardenjës (Cagliari, Olbia, Alghero: 12,6 milion’), i afrohet Campania-s (Napoli, Salerno: 15,4 milion’) dhe zvogëlon distancën nga Sicilia (Palermo, Catania, Comiso, Trapani: 25,9 milion’).