Tymi nga zjarret e mëdha në Kanada ka kaluar Atlantikun dhe ka mbërritur në Evropë, njoftuan sot shkencëtarët.
”Më shumë re tymi do të prekin kontinentin në ditët në vijim”, sipas programit të vëzhgimit të Tokës të BE-së, ”Copernicus”.
Kjo mund të çojë në ditë me mjegull dhe perëndime dielli të kuqe në portokalli.
Megjithatë, nuk pritet ndonjë ndikim i madh në cilësinë e ajrit në nivelin e tokës, pasi pjesa më e madhe e tymit po bartet në shtresat më të larta të atmosferës.
Sipas raportit, një re e parë tymi kaloi rajonin e Mesdheut më 18 dhe 19 maj, ndërsa një re e dytë, shumë më e madhe, mbërriti në Evropën veriperëndimore në javën e fundit të majit.
”Copernicus” i bazon gjetjet e tij në të dhënat nga shërbimi i tij i monitorimit atmosferik CAMS.
Sipas raportit të tij, ka pasur emetime të konsiderueshme nga zjarret në pyje në provincat kanadeze të Saskatchewan, Manitoba dhe Ontario në javët e fundit.
Raporti kombëtar i zjarreve në pyje i Kanadasë thotë se ka pasur mbi 100 zjarre në disa raste.
Thatësira e jashtëzakonshme dhe erërat e forta kanë kontribuar në zhvillimin dhe përhapjen e zjarreve.
Mijëra njerëz u dërguan në vende të sigurta si masë paraprake.
”Copernicus” ka monitoruar gjithashtu zjarret e mëdha pyjore që kanë shpërthyer në Rusinë juglindore që nga prilli, kryesisht në Republikën e Buryatia dhe rajonin Transbaikal në lindje të liqenit Baikal.
Analizat e CAMS nga mesi i majit treguan se re të mëdha tymi po lëviznin nga rajoni Transbaikal drejt Kinës dhe Japonisë veriore.
”Copernicus” thotë se këto të ashtuquajturat re pirokumulonimbus (PyroCb) formohen kur një zjarr pyjor digjet me nxehtësi dhe intensitet të jashtëzakonshëm, duke gjeneruar energji termike të mjaftueshme për të shtyrë tymin, hirin dhe lagështinë lart në atmosferë, nga ku rryma të fuqishme ajrore mund ta transportojnë tymin në distanca të gjata.