Midis deteve Adriatik dhe Jon, Shqipëria shfaqet si një perlë ngjyrë bruz e pazbuluar, sipas një artikulli të botuar në revistën spanjolle të udhëtimeve “Confidencial Digital”.
Historia e saj ndërthur ndikimet lindore dhe perëndimore, dhe vija e saj bregdetare rivalizon bukurinë e vendeve fqinje, Greqisë ose Kroacisë.
Ekspertët e udhëtimeve e kanë përshkruar Shqipërinë si “sekretin më të mirë të ruajtur të Evropës”.
Fluturimet direkte nga Spanja në Shqipëri – kanë qenë të disponueshme prej disa vitesh.
Ndryshe nga vendet e mbipopulluara turistike, në Shqipëri do të gjeni më pak turistë, më shumë autenticitet dhe një natyrë mahnitëse të paprekur.
Ku fillon udhëtimi? Do t’ju tregojmë gjithçka rreth tij, nga veriu në jug, derisa të arrijmë në zemër të Ballkanit, Shqipëri!
Shqipëria është ndryshe nga çdo vend tjetër evropian. Malet e mbuluara me borë, pazaret e stilit osman dhe plazhet me ujëra të kaltra bruz, bashkëjetojnë në një territor të vogël, por të egër.
Kryeqyteti i saj, Tirana, është një destinacion modern, plot ngjyra dhe i gjallë.
Prej andej, ju mund të vizitoni Krujën, qytetin e Skënderbeut, heroit që i rezistoi Perandorisë Osmane për 25 vjet.
Kalaja muze e Skënderbeut dominon horizontin dhe zërat e artizanëve të pazarit jehojnë nëpër rrugicat e tij me kalldrëm.
Tirana: Shpirti mesdhetar i Ballkanit
Kryeqyteti surprizon me ndërthurjen e tij kulturore. Xhamitë, kishat dhe muralet bashkëjetojnë nën të njëjtin qiell.
Jeta rrjedh në kafenetë e lagjes së Bllokut, dikur pronë ekskluzive e regjimit komunist.
Sot, ish-selia e pushtetit është transformuar në një zonë në modë, me bare që shërbejnë raki të bërë në shtëpi dhe birrë vendase të Tiranës.
Mos humbisni një vizitë në Bunk’Art, një bunker i shndërruar në një muze – ku do të kuptoni Shqipërinë e Enver Hoxhës, diktatorit që ndërtoi më shumë se 170,000 strehimore nga frika e pushtimit.
Nga Tirana, rrugët të çojnë në bregdet dhe në jug, ku fillon spektakli i vërtetë natyror.





