Një dokumentar i ri i dedikuar Ozzy Osbourne do t’u tregojë fansave “kapitullin e fundit” të jetës së tij, duke përfshirë udhëtimin e tij deri në performancën e fundit në shfaqjen e lamtumirës së “Black Sabbath” në Birmingham në korrik, sipas BBC.
I xhiruar gjatë tre viteve, dokumentari “Ozzy Osbourne: Coming Home” tregon historinë e jetës së këngëtarit dhe bashkëshortes së tij Sharon, ndërsa ata përpiqen të përmbushin ëndrrën e tyre të gjatë për t’u kthyer në Britaninë e Madhe.
Ai gjithashtu do t’u tregojë audiencës betejat e vokalistit të “Black Sabbath” për të qënë mjaftueshëm në formë për të performuar, dhe pasojat e shëndetit të tij të dobët. Siç thotë vajza e tij Kelly Osbourne në film: “Iron Man nuk ishte vërtet prej hekuri”.
Filmi njëorësh do të transmetohet në “BBC One” të hënën, më 18 gusht, në orën 21:00 dhe do të jetë gjithashtu i disponueshëm në “BBC iPlayer”.
Dokumentari tregohet përmes anëtarëve të familjes Osbourne, duke përfshirë Sharon, Kelly dhe djalin Jack Osbourne.
I konceptuar fillimisht si një serial, “Home to Roost”, i njoftuar në vitin 2022, projekti evoluoi në një dokumentar njëorësh ndërsa shëndeti i Osbourne u përkeqësua.
Ai do të transmetohet më pak se një muaj pas vdekjes së ikonës së heavy metal, dy javë pasi ai u ngjit në skenë për herë të fundit, në Villa Park.
Filmi pasqyron udhëtimin e tyre ndërsa ata përgatiten të kthehen në Britaninë e Madhe.
Ai përmban momente familjare, humor, reflektim dhe tregon shpirtin e qëndrueshëm që e bëri Ozzy-n një ikonë globale.
Ozzy donte të kthehej në Britani të Madhe dhe të shfaqej në skenë për herë të fundit – filmi është një rrëfim frymëzues dhe prekës i përmbushjes së kësaj ëndrre nga ana e tij.
Legjenda e heavy metal është dashur nga miliona njerëz në të gjithë botën jo vetëm për muzikën e tij, por edhe për ndjenjën e tij të ndershmërisë e tij.