Eksperiencë plazhi e jashtëzakonshme, pak turistë, ambient miqësor. Kjo është receta për udhëtimin perfekt. Plazhet e Shqipërisë presin vizitorë që janë ngopur me destinacionet kryesore evropiane, dhe duan të shpëtojnë nga turmat e turistëve, ndonjëherë mbytëse, shkruan në një artikull gazetarja Rozc Franciska, të botuar në të përditshmen hungareze “Coloré.hu”. Kur bëhet fjalë për eksperiencat evropiane të plazheve, zakonisht të vijnë në mendje plazhet dalmate, spanjolle apo italiane. Megjithatë, në ditët e sotme, këto vende janë shpesh aq të mbipopulluara sa bukuria e natyrës bëhet e pakëndshme. Ky nuk është aspak rasti me plazhet e Shqipërisë, të cilat nga njëra anë rezultojnë të jenë shumë më miqësore me buxhetin sesa qendrat turistike të krijuara, dhe meqë ra fjala, ata u premtojnë adhuruesve të detit një pamje të mahnitshme.