Bordi i Transparencës për Karburantet informon se çmimi i naftës do të tregtohet 8 lekë më pak për litër, ndërsa i benzinës 6 lekë më shumë për litër. “Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 224 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 212 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 198 lekë/litër, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 186 lekë/litër”, njoftoi Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë, çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litër me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet. Sipas Bordit, çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot në orën 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. “Bordi i Transparencës që ne krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatoreve. Ministria e Financës ndjen detyrimin të sqaroj opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njejtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës. Theksojmë se Bordi nuk cakton çmimet e naftës bruto, por të gazoilit, benzinës dhe gazit të lëngshëm sipas standardeve të përcaktuara në Aktin Normativ. Bordi ka caktuar vetëm marzhet bruto maksimale për shitjen me shumicë dhe pakicë, me të cilat operatorët duhet të mbulojnë të gjitha shpenzimet operative”, informoi MFE. Ministria e Financave dhe Ekonomisë thotë se mbetet e angazhuar në mbrojtje të interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg. “Situata që po kalojmë nuk është zakontë, ndaj dhe vendimet që marrim, vijnë si përgjigje e zhvillimeve të ekonomisë vendase, por edhe e lëvizjeve të tregjeve ndërkombëtare”, deklaron MFE.https://ata.gov.al/2022/09/15/bordi-i-transparences-cmimi-i-naftes-ulet-me-8-leke-litri/