– Çmimet e kafesë do të dyfishohen për shkak të inflacionit global

Në të njëjtën kohë, raportimet se BE-ja po përgatitet të shtyjë nxjerrjen e rregullave të reja për të parandaluar importin e disa produkteve të prodhuara nga dëmtimi i zonave pyjore për një vit, kanë ndikuar që çmimet e kafesë të rriten. Produktet përfshijnë sojën, mishin e viçit, vajin e palmës, drurin, kakaon dhe kafenë.

Giuseppe Lavazza, shef ekzekutiv i prodhuesit italian të kafesë “Lavazza” ka thënë se çmimet e kafesë do të dyfishohen për shkak të inflacionit global dhe ndryshimeve klimatike.

Zafer Ergezen, një ekonomist turk, tha për Anadolu se rritja e çmimeve të kafesë nuk është shumë befasuese, pasi ndryshimet e motit në Brazil, prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i kafesë në botë, janë bërë një forcë shtytëse.

Ergezen deklaroi se tranzicioni i motit nga fenomeni “El Nino” në “La Nina” rezultoi në reshje relativisht të ulëta në Brazil, duke nxitur shqetësime rreth lulëzimit të pemëve të kafesë.

Ai vuri në dukje se shqetësimet për rendimentet e ulëta në Azinë Juglindore, veçanërisht në Vietnam, dhe hezitimi i fermerëve për të shitur të korrat e tyre për shkak të çmimeve më të larta, kanë ndryshuar drejtimin e çmimit të kafesë.

Ergezen shtoi se vlerësimet e prodhimit dhe kushtet e motit në Brazil do të luajnë një rol të rëndësishëm në çmimet e kafesë tani, pasi mund të ketë ndryshime, të cilat mund të ndikojnë në drejtimin e çmimeve, duke theksuar se trendi i rritjes së çmimeve të kafesë do të vazhdojë për një kohë.