Çmimi “Romani më i mirë i vitit” iu dha autorit Besnik Mustafaj, me motivacionin: “Për romanin “Fati i marrë” për guximin dhe imagjinatën në krijimin e një historie “alternative,” ku mjafton të ndryshosh një detaj të vogël në histori shekuj më parë, për të na ndihmuar të gjejmë një Shqipëri më të mirë, e mbi të gjitha, më të ndjeshme; ku heronjtë janë më të prekshëm e më njerëzorë; ku gratë flasin, qoftë dhe me gjuhën e shenjave.”.
Çmimi “Vepra më e mirë studimore e vitit” iu dhe autorit Pëllumb Xhufi. Në motivacionin e çmimit thuhet: “Për librin “Shqipëria dhe fundshekulli i dëshpëruar” për hulumtimin e dokumentimin e thelluar, bazuar në fakte dhe dokumenteve të një epoke, ku ndriçon me kompetencë ngjarjet dhe sfidat e periudhës mesjetare shqiptare; duke sjellë për të parën herë një pasqyrë të përpjekjeve të shqiptarëve për të mbijetuar si popull dhe komb në kohëra të errëta, duke ofruar një kontribut të vyer për studimet historike shqiptare.”.
Përkthimi më i mirë i vitit u vlerësua ai i përkthyeses Ana Kove, për përkthimin e librit “Daullja prej llamarine” nga Gunter Grass. Kove u vlerësua për punën mjeshtërore, përmes së cilës përkthyesja arrin të përçojë me rrjedhshmëri te lexuesi shqiptar thellësinë e zërit të pazakontë të personazhit dhe satirën e mprehtë të autorit.
Autori Shpëtim Kelmendi u vlerësua për librin e tij “Dashnia asht”, si vëllimi më i mirë me tregime për 2023-shin.
Çmimi “Vëllimi më i mirë poetik i vitit” iu dha autores Entela Tabaku, për librin me poezi “Qeramikiana”, ndërsa si libri më i mirë për fëmijë u vlerësua “Kroni me pulëbardhat” i Ledjona Brahos.