Në tremujorin e parë të vitit 2025, çmimet e prodhimit në Shqipëri shënuan një rritje të lehtë si në krahasim me një vit më parë, ashtu edhe me fundin e vitit të kaluar.
Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se çmimet e prodhimit u rritën me 0,4% në nivel vjetor dhe me 0,3% në krahasim me tremujorin e fundit të 2024.
Sektori që dha ndikimin më të madh në këtë rritje ishte energjia elektrike dhe gazi, me një rritje prej 1%. Pas tij vijnë industria nxjerrëse me 0,7% dhe sektori i ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 0,5%.
Industria përpunuese, që ka peshën më të madhe në ekonomi, shënoi një rritje simbolike prej 0,03%, me çmime në rritje për mobilje (+2,1%), produkte farmaceutike dhe mjete transporti (+1,9%), ndërsa u ulën çmimet në metalurgji (-2,4%) dhe produkte kimike (-1,8%).
Për tregun vendas, çmimet e prodhimit u rritën me 0,7% në krahasim me një vit më parë, kryesisht për shkak të sektorëve të industrisë përpunuese dhe energjisë.
Ndërsa çmimet e prodhimit për eksportin, u rritën me 0,3%, të nxitura nga industria nxjerrëse që shënoi një rritje të fortë prej 2,8%. Megjithatë, industria përpunuese për eksport shënoi një rënie të lehtë me -0,2%.
Në krahasim me tremujorin e kaluar, rritja tremujore u ndikua sërish nga sektori i energjisë dhe gazi (+0,4%) dhe industria përpunuese (+0,2%). Brenda industrisë përpunuese, më së shumti u rritën çmimet në industrinë ushqimore dhe farmaceutikë, me nga +0,8%.
Çmimet e prodhimit janë një nga treguesit kryesorë të kostove që përballojnë bizneset për të prodhuar mallra dhe shërbime.
Sektorët si energjia dhe industria farmaceutike, ku u regjistruan rritje më të ndjeshme të çmimeve, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sektorë të tjerë të ekonomisë, për shkak të përdorimit të gjerë të produkteve të tyre.
Ndërkohë, ulja e çmimeve në sektorët si metalurgjia dhe produktet kimike mund të ndihmojë në uljen e kostove për ndërtimin, industrinë e përpunimit dhe bujqësinë