Referuar raportit të Institutit të Statistikave (INSTAT), ulja vjetore e çmimeve të importit u ndikua kryesisht nga sektori “energjia elektrike, gazi, avulli dhe ajri i kondicionuar”, ku çmimet ranë me 4,6%.

Rënie u regjistrua gjithashtu në “furnizimin me ujë dhe aktivitetet e trajtimit të mbeturinave” me 0,7%, si edhe në “industrinë përpunuese”, që përfaqëson 94% të peshës totale të indeksit, me një ulje prej 0,3%.

Brenda industrisë përpunuese, zbritjen më të theksuar të çmimeve e pësuan aktivitetet e “përpunimit të produkteve ushqimore” me 1,7%, të ndjekura nga “prodhimi i drurit dhe produkteve prej druri” me 1,2%, “konfeksionimi i veshjeve” me 0,8%, “prodhimi i pijeve” me 0,6% dhe “prodhimi i kimikateve” me 0,5%.

Ndërkohë, rritje të çmimeve shënuan “industritë e tjera” me 1,3%, “prodhimi i produkteve të duhanit” me 1,1% dhe “shtypshkrimi” me 0,8%.

Në ndryshimin tremujor, sektori i energjisë regjistroi një ulje prej 1,1%, ndërsa industria përpunuese ra me 0,1%.

Rritje u vërejt në seksionin e “furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve” me 0,9%.
Te industria përpunuese, ulja më e madhe u shënua te “përpunimi i produkteve ushqimore” me 1,3%, pasuar nga “prodhimi i kimikateve” me 0,9% dhe “përpunimi i tekstileve” me 0,6%.