Marrëdhënia midis kolesterolit, lipideve dhe rënies konjitive është një marrëdhënie komplekse, shkruan repubblica.it.
Studimet mbi këtë temë vazhdojnë të japin rezultate kontradiktore. Në disa, lipidet e tepërta në trup duket se përfaqësojnë një faktor rreziku për zhvillimin e Alzheimerit dhe formave të tjera të demencës.
Ndër të tjera, efekti duket edhe i kundërt, sipas Universitetit të Melburnit dhe tregon se, tek të moshuarit, një nivel i lartë i triglicerideve mund të shoqërohet me një incidencë më të ulët të demencës dhe një rënie më të ngadaltë konjitive.
Rezultate duhen marrë me kujdes, duke pasur parasysh efektet e njohura negative të këtyre yndyrave në shëndetin kardiovaskular, por që tregojnë, nëse asgjë tjetër, se si, në nivel klinik, lidhja midis yndyrave dhe shëndetit të trurit në pleqëri është ende për t’u deshifruar.
Studimi australian përdori të dhëna nga 18 294 njerëz me një moshë mesatare 75 vjeç dhe pa diagnoza të Alzheimerit ose demencës.
Pjesëmarrësit u ndoqën mesatarisht për gjashtë vjet, dhe gjatë kësaj kohe 823 njerëz zhvilluan një formë të demencës.
Studiuesit vlerësuan nivelet e kolesterolit total, triglicerideve, kolesterolit lipoprotein me densitet të ulët (LDL) dhe kolesterolit lipoprotein me densitet të lartë (HDL) gjatë çdo viti të studimit, më pas i ndanë pjesëmarrësit në katër grupe, bazuar në nivelet e triglicerideve, dhe vlerësuan incidencën e simptomave të demencës dhe më shumë.
Pasi eliminuan nga të dhënat efektet e variablave si niveli i arsimimit ose përdorimi i trajtimeve të kolesterolit, të cilat mund të kishin ndikuar në rezultatet, studiuesit zbuluan se çdo dyfishim i niveleve të triglicerideve shoqërohej me një rrezik 18% më të ulët të zhvillimit të demencës.
Në përgjithësi, pjesëmarrësit me nivele normale (150 mg/dl) ose më të larta të triglicerideve treguan një rrezik shumë më të ulët të zhvillimit të demencës dhe një shkallë të rënies konjitive sesa ata me nivele më të ulëta se normale të triglicerideve.
Si interpretohen rezultatet?
Një mundësi, e cila nuk mund të përjashtohet duke pasur parasysh se si u konceptua studimi vëzhgues, është se prania e niveleve të larta të triglicerideve nuk është në vetvete mbrojtëse, por për disa arsye lidhet me një shëndet më të mirë të përgjithshëm (pavarësisht se përfaqëson një faktor të njohur rreziku kardiovaskular) ose me zakone dhe sjellje që kanë një efekt mbrojtës në rënien konjitive.
Nga ana tjetër, ka mundësi që janë pikërisht trigliceridet që mbrojnë trurin nga fillimi i Alzheimerit dhe llojeve të tjera të demencës dhe nuk do të ishte aq absurde duke qenë se – siç theksojnë disa ekspertë – në një masë të madhe, truri e merr energjinë e tij nga konsumimi i triglicerideve