Në vitin 1975, një inxhinier i ri i quajtur Steve Sasson, i cili sapo kishte nisur punë në “Eastman Kodak”, realizoi fotografinë e parë me një kamerë portative digjitale, një ngjarje që do të ndryshonte përgjithmonë historinë e fotografisë.

Ai ishte vetëm 23 vjeç dhe punonte në një kompani që e ndërtoi famën mbi filmin fotografik dhe kimikatet e zhvillimit, sipas BBC

“Kodak”, e themeluar nga George Eastman në fund të shekullit XIX, kishte krijuar një ekosistem të plotë fotografik: nga filmat, te kamerat dhe deri te fotografitë letër.

Slogani  i njohur “You push the button, we do the rest” (”Ju shtypni butonin, ne bëjmë pjesën tjetër”) përmblidhte filozofinë e markës.

Por, Sasson, inxhinier elektrik i frymëzuar nga botët futuriste të “Star Trek”, e ndiente se fotografia tradicionale ishte e ngadaltë dhe e vjetëruar.

Teknologjia e nevojshme për një kamerë pa film ekzistonte pjesërisht.

Qelizat e dritës, sensorët e hershëm dhe studiuesit e NASA-s po punonin me imazhe digjitale të përmasave gjigante.

Ndërkohë, ”Bell Labs” kishte shpikur në vitin 1969 pajisjen e famshme CCD, e cila mund të ruante ngarkesa elektrike me saktësi të lartë.

Kur mbikëqyrësi i tij i dha detyrën e dytë për të studiuar këtë komponent të ri, Sasson pa një mundësi që askush te” Kodak” nuk e kishte imagjinuar ndërtimin e një kamere krejtësisht elektronike.

Pa buxhet zyrtar dhe pa asnjë direktivë të qartë, ai nisi të mbledhë pjesë të përdorura nga laboratorët e kompanisë.

Optikën e gjeti në një kamerë filmike të hedhur poshtë, ndërsa konvertuesin analog-digjital e bleu nga një voltmetër i lirë. Për ruajtjen e të dhënave, ai përdori një kasetë audio, ndërsa për riprodhimin e imazhit ndërtoi një njësi të veçantë që konvertonte të dhënat digjitale në sinjal televiziv NTSC.

Pas më shumë se një viti punë, prototipi i parë ishte gati: një pajisje 3,6 kilogramë, që dukej më shumë si “toster me lente” sesa si kamera. Butoni i shkrepjes ekspozonte për 1/20 sekonde, por ruajtja e imazhit në kasetë kërkonte 23 sekonda të tjera.

Prova e parë u bë ndaj koleges Joy Marshall.

Kur imazhi i parë u shfaq në monitor, ishte i shtrembëruar, flokët dukeshin qartë, por fytyra ishte e deformuar. Me disa ndryshime kabllosh, imazhi u rregullua dhe kështu lindi fotografia e parë e realizuar ndonjëherë me një kamerë digjitale portative.

Ky zbulim i çuditshëm nisi të tërhiqte vëmendjen e menaxherëve të “Kodak”.

Demonstrimet e Sasson gjithmonë përfundonin me të njëjtat pyetje: a do të kishte ndonjëherë interes konsumatori për një aparat pa film? A mund të bënte foto me ngjyra? A do të arrinte ndonjëherë cilësinë e filmit?

Për t’i dhënë një përgjigje, Sasson analizoi progresin e pikselëve dhe zbatimin e ligjit  Moore, duke vlerësuar se teknologjia do të bëhej praktike për konsumatorët brenda 15–20 viteve. Parashikimi i tij u realizua në mënyrë të pabesueshme, kamera e parë digjitale për konsumatorët, “Kodak DC40”, u prezantua në vitin 1995.

Në vitin 1978, “Kodak “mori patentën e parë për një kamerë digjitale, shpikja e Sasson.

Kjo patentë do t’i sillte kompanisë miliarda dollarë në licenca përpara se të shitej gjatë krizës financiare të “Kodak” në 2012.

Megjithëse shpesh përmendet si shembulli klasik i një kompanie që injoroi inovacionin, ekspertët si Todd Gustavson nga muzeu ”George Eastman” thonë se “Kodak” thjesht ishte shumë herët në raport me zhvillimet e kompjuterëve personalë dhe internetit.

Sasson vazhdoi të punonte në teknologjinë digjitale deri sa doli në pension, por rrëfen me humor se shpesh nuk e dinte si t’i bindte drejtuesit e kompanisë për revolucionin që kishte nisur.

E megjithatë, shpikja e tij, një aparat i rëndë dhe i shëmtuar shënoi momentin kur fotografia hyri në epokën elektronike.

Një klikim 1/20 sekonde që ndryshoi mënyrën si kapim kujtimet edhe sot