Koleksionet e Artit të Chemnitz-it në Gjermaninë lindore i dedikohen artistit norvegjez Edward Munch me një ekspozitë që do të çelet sot.

Rreth 140 vepra do të ekspozohen, duke përfshirë pothuajse 100 vepra të vetë Munch-it, si dhe punë të artistëve të tjerë si Andy Warhol, Neo Rauch dhe Karl Schmidt-Rottluff, të cilat lidhen me pikturat dhe grafikët e Munch-it, thanë kuratorët.

Ekspozita e Munch-it konsiderohet një nga pikat kulmore të programit të Chemnitz-it gjatë vitit të tij si kryeqytet Evropian i Kulturës, së bashku me Nova Gorica-n e Sllovenisë, në kufi me Italinë.

Përveç motivit shumë të njohur botëror të Munch-it, “Krik”, i cili shfaqet si një litografi, një pikturë e shitur nga nazistët në vitin 1937 po kthehet në Chemnitz.

“Two people.The Lonely Ones”  (Dy njerëz, Të vetmuarit), e blerë për koleksionin në vitin 1928, tregon një grua dhe një burrë në një plazh nordik duke parë drejt detit. Midis tyre ekziston një distancë jo vetëm fizike, por edhe emocionale.

Pas pothuajse 90 vjetësh, ajo po shihet përsëri në Gjermani dhe për herë të parë në Chemnitz, tha drejtoresha e përgjithshme e koleksioneve të artit, Florence Thurmes.

Munch (1863-1944) konsiderohet një pionier i rëndësishëm i modernizmit. Ai kaloi disa javë në Chemnitz në vitin 1905 me ftesë të një sipërmarrësi të industrisë tekstile.

Gjatë kësaj kohe, u krijuan disa piktura dhe vizatime, dy prej të cilave janë në ekspozitë: portreti i Herbert Esche dhe piktura peizazhi “Pamje e Luginës së Chemnitz-it.”

Ekspozita mund të vizitohet deri më 2 nëntor në koleksionet e artit në sheshin Theaterplatz përpara operas së qytetit