Është e vështirë të anashkalohet inaugurimi i presidentit amerikan, Donald Trump, më 20 Janar, kur parashikohet politika e Bashkimit Evropian për vitin 2025.
Radio Evropa e Lirë ka biseduar me disa zyrtarë në bllokun evropian në javët e fundit dhe të gjithë duket se po presin se si të reagojnë ndaj shumë sfidave të ndryshme që administrata e re amerikane mund të paraqesë për bllokun. Kjo paparashikueshmëri, që pikë së pari duket se i bënë ata nervozë, së fundi u shpërfaq edhe me interesimin e Trumpit për Grenlandën, territorin danez.
Por, ka edhe çështje të tjera për të cilat zyrtarët evropianë po përgatiten. Njëra nga to do të jenë tarifat, duke besuar se premtimi zgjedhor i Trumpit për një tarifë universale prej 10 deri në 20 për qind ndaj importeve mund të ndodhë dhe kjo do të ishte e menaxhueshme, edhe pse ka frikë se disa produkte të caktuara do të goditen me tarifa më të larta. Një tjetër çështje ka të bëjë me kërkesën për shpenzime më të mëdha të mbrojtjes, me presidentin e ardhshëm që kohëve të fundit ka sugjeruar që 5 për qind e Bruto Prodhimit Vendor t’i kushtohet ushtrisë, teksa shumica e anëtarëve evropianë të NATO-s, mezi arrijnë të përmbushin objektivin e mëparshëm prej 2 për qind.