Instituti i Statistikave (INSTAT) bën të ditur se, Censi i Popullsisë dhe Banesave do të fillojë më 18 shtator të këtij viti. Sipas INSTAT-it, Censi i Popullsisë dhe Banesave për mbledhjen e të dhënave në terren do të zgjasë 6 javë. Synimi i Cens është t’i sigurojë Parlamentit, qeverisë, autoriteteve lokale dhe shoqërisë civile një informacion të besueshëm statistikor të nevojshëm për planifikimin dhe zbatimin e politikave të përgjithshme të zhvillimit, për kërkime shkencore, si dhe për të kuptuar situatën demografike, ekonomike dhe shoqërore të vendit. Bizneset, po ashtu, kanë nevojë për të dhëna të Censit për të përcaktuar se, ku mund të lokalizojnë dyqanet, për të vlerësuar forcën e mundshme të punës dhe për të vlerësuar tregjet e blerësve etj. Censi është i rëndësishëm sepse prodhimi i rezultateve të Censit çdo dhjetë vjet është një kërkesë në nivel botëror dhe ndihmon procesin e integrimit për t’u bashkuar me BE-në. Të dhënat e Censit do të bëjnë të mundur zhvillimin e një regjistri statistikor ndërtesash dhe banesash dhe një regjistër statistikor të popullsisë banuese, i cili mund të shërbejë në të ardhmen si bazë për kryerjen e Censit bazuar në regjistra. Njohja e numrit dhe strukturës së popullsisë sipas moshës dhe gjinisë është jetike për vendin tonë, qoftë në nivel kombëtar, ashtu edhe në atë lokal, si dhe brenda komuniteteve të ndryshme. Pa informacion kombëtar dhe lokal mbi popullsinë, karakteristikat e saj, arsimin, statusin në punësim dhe shëndetësi, shërbimet dhe bizneset tona publike nuk mund t’i shërbejnë komuniteteve tona sa më mirë që të jetë e mundur. Në vitin 2023, për herë të parë, përgjigjet do të regjistrohen nga anketuesit në tableta. Përgjigja do të marrë më pak kohë sesa përgjigjet për një pyetësor të bazuar në letër. Cens kërkon informacion mbi karakteristikat demografike, sociale dhe ekonomike të individëve. Kjo përfshin pyetje në lidhje me moshën, gjininë, marrëdhëniet midis anëtarëve të familjes, vendin e lindjes, nivelin e arsimit, statusin e punësimit, etninë, fenë, aftësinë e kufizuar, si dhe kushtet e banimit. Punonjësit e INSTAT respektojnë rreptësisht parimin e konfidencialitetit statistikor dhe ligjin për ruajtjen e konfidencialitetit, për të trajtuar të dhënat me përgjegjësi dhe për të mbajtur private informacionin e të anketuarve. Detyra e çdo qytetari është të marrë pjesë në Cens. Sipas ligjit, çdo person, i cili në periudhën që do të kryhet Censi është banor i zakonshëm brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, është i detyruar të sigurojë informacionin e kërkuar në pyetësorët e Cens, në një mënyrë të plotë, të saktë dhe të besueshme. Përjashtimet e vetme janë pyetjet në lidhje me identitetin etnik, fenë dhe gjuhën, për të cilat mund të zgjidhni opsionin “Preferoni të mos përgjigjeni”. Censi i Popullsisë dhe Banesave ishte planifikuar të zhvillohet në vitin 2020, por fillimisht u shty prej situatës së krijuar nga pandemia, dhe një tjetër shtyrje u bë për në vitin 2021 për shkak të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa në gusht të vitit 2022 u shty për shkak të mossigurimit në kohë të mjeteve të nevojshme, në rastin konkret tabletat për grumbullimin e informacionit në terren. Censi i fundit është zhvilluar në vitin 2011, ku rezultoi se popullsia ishte 2,821,977, me një rënie prej 8%, nga Censi 2001.
Censi i Popullsisë dhe Banesave fillon më 18 shtator
RELATED ARTICLES