Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALECensi 2023: Të dhënat gati për publikim në qershor

Censi 2023: Të dhënat gati për publikim në qershor

Drejtoresha e Institutit të Statistikave, (INSTAT) Elsa Dhuli deklaroi sot se të dhënat e mbledhura nga Censi lidhur me demografinë, ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë do të jenë gati në muajin qershor. Gjatë një konference për shtyp mbi fazat dhe proceset për publikimin e të dhënave të Censit të Popullsisë dhe Banesave 2023, Dhuli tha se të dhënat e grumbulluara do të kalojnë në procese të rëndësishme statistikore si pastrimi, përpunimi dhe tabelimi. Kjo, sipas saj, është një praktikë e zakonshme statistikore për të siguruar që informacioni që do të ndahet me publikun është cilësor, i saktë dhe i besueshëm. Për tri censet e kryera nga INSTAT, qershori ka qenë afati më i afërt i publikimit pas përfundimit të mbledhjes së të dhënave në terren, duke përfshirë dhe Anketën e Pas Cens, e cila u përfundua në dhjetor 2023. “Të dhënat e censit do të jenë gati për publikim në muajin qershor 2024. Këto të dhëna janë pjesë integrale e planit të punës së INSTAT dhe do të reflektojnë informacionin më të fundit statistikor për vendin. Të dhënat që do të publikohen do të përmbajnë informacion të detajuar mbi demografinë, ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë, duke ofruar statistika të nevojshme për të gjithë grupet e përdoruesve”, u shpreh Dhuli. Rezultatet e censit, vuri në dukje ajo, do të ofrojnë një bazë të fortë për planifikimin e politikave publike dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e programeve që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve. Gjithashtu, sipas saj, ato do të kontribuojnë në përmirësimin e shërbimeve dhe infrastrukturës, si dhe do të ndihmojnë në monitorimin e progresit të vendit në arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments