Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kërkoi sot që komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore të adresojë dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me votimin nga jashtë dhe shfuqizimin e dispozitës të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me herësin, kufirin prej 10 mijë votash për votën preferenciale. Në një seancë dëgjimore para anëtarëve të këtij komisioni, Celibashi theksoi se “kjo është një çështje që i përket partive politike”. Celibashi solli në vëmendjen e komisionit edhe një listë çështjesh të reformës zgjedhore që duhet të adresohen nga komisioni i posaçëm parlamentar.
Ai theksoi se duhet të adresohet çështja e sigurisë së të drejtës së votës për një kategori votuesish që nuk e kanë të mundur të shkojnë në qendrat e votimit. “Do të vazhdojmë t’i lëmë pa votuar, apo do t’u krijojmë mundësi të votojnë. Janë rreth 30 mijë votues shqiptarë që për arsye objektive nuk e kanë të mundur të paraqiten në qendrat e votimit për të ushtruar të drejtën e votës”, tha ai. Celibashi theksoi edhe domosdoshmërinë e përmirësimit të rregullave që lidhen me fushatën zgjedhore në mediet online, internet dhe rrjetet sociale. Aktualisht, sipas tij, Kodi Zgjedhor parashikon dispozita vetëm për mediet tradicionale radio e televizion.
Edhe për shtypin e shkruar mungon rregullimi”, tha ai. Ai theksoi po ashtu se duhet të plotësohen rregullat që lidhen me financimin e fushatës zgjedhore, si dhe nevojiten ndryshime në ligjin për regjistrimin fillestar të partive politike. “Partitë që nuk kanë marrë asnjë mandat në 3 zgjedhjet e fundit duhet të riparaqesin një listë me nënshkrime mbështetëse”, tha ai. Një tjetër çështje që duhet konsideruar, sipas Celibashit është edhe përcaktimi i vendit të numërimit të votave. Po ashtu, Celibashi theksoi se duhet të vendoset lidhur me organizimin dhe funksionimin e komisioneve në nivelet e dyta e të treta, nëse duhet të bëhet e njerëz që vijnë nga partitë politike apo do të kemi një formulë ndryshe.