Në konferencën shkencore ndërkombëtare “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme”, foli edhe arkeologu Neritan Ceka, i cili u përqendrua tek shtrirja e kërkimeve të qytetërimit antik ilir në mbarë hapësirën shqiptare. Prof.dr. Ceka foli për ndryshimin e ndjeshëm në vitet e fundit në objektivat kryesore të kërkimeve arkeologjike shqiptare, si dhe në format e organizimit të kërkimit shkencor, por dhe të promovimit e menaxhimit të trashëgimisë kulturore arkeologjike. Konferenca shkencore ndërkombëtare, “Probleme të reja të albanologjisë në kohën e sotme” u mbajt në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Prof. dr. Ceka theksoi se, angazhimi i studiuesve të huaj drejtpërdrejt në kërkimet arkeologjike në terren, si dhe krijimi i një shkolle të re arkeologjike në Republikën e Kosovës, kanë krijuar një peizazh më të artikuluar të arkeologjisë në Shqipëri. Në kumtesën e tij, arkeologu Ceka, vuri theksin tek problemet kryesore që qëndrojnë sot para arkeologjisë shqiptare në fushën e antikitetit ilir, të cilat i përmblodhi në këto pyetje: Do të vazhdojë arkeologjia të orientohet nga sqarimi i çështjeve programatike që kanë të bëjnë me karakterin e qytetërimit antik ilir, të bazës së tij politike në formatin e mbretërisë ilire dhe bashkësive qytetare të tipit koinon? Do të ketë një koordinim të kërkimeve me institucionet e Ministrisë së Kulturës në sitet arkeologjike që janë pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillimin e turizmit kulturor? Do të ketë një mbështetje financiare të kërkimeve arkeologjike, që do të mundësojë zhvillimin e pavarur të tyre dhe krijimin e një gjenerate arkeologësh në tërë hapësirën shqiptare, që përkon edhe me shtrirjen e dikurshme të qytetërimit antik ilir? Përmes kësaj kumtese prof. dr. Ceka bëri edhe disa propozime konkrete për zgjidhjen e problemeve të spikatura më lart. ATSH