Kongresi u udhëhoq nga presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili gjatë fjalës së tij dha mesazhe të rëndësishme për të gjithë botën, duke nënvizuar sportin e futbollit si një mjet për bashkim dhe frymëzim.
Ai mori si shembull Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”, duke theksuar se atje ku politika ndan, futbolli ndërton ura.
Gjithashtu, presidenti Čeferin përmendi organizimin e përbashkët të Kampionatit Europian U-21 2027 nga Shqipëria dhe Serbia si një rikujtesë të shkëlqyer se nuk ka kufij në futbollin evropian. Ai i ftoi të gjithë të lënë pas historitë e së shkuarës për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë.
“Futbolli evropian duhet të vazhdojë të qëndrojë si një model uniteti në këtë botë që po bëhet gjithnjë e më e ndarë. Ne bashkojmë dhe inspirojmë. Është misioni ynë, për të cilin jemi plotësisht të angazhuar.
Kampionati Evropian 2024: Që nga atmosfera elektrizuese në stadiume deri te miliona tifozë që frymëzoi në mbarë botën, EURO 2024 na kujtoi se atje ku politika ndan, futbolli ndërton ura. Ne nuk ishim të ndarë, por punuam së bashku për të shfaqur lëvizjen më të madhe shoqërore në Evropë.
Futbolli është më shumë se një sport: është një pasqyrë dhe një model i shoqërisë. Ai flet një gjuhë universale që kalon përtej kufijve, bashkon komunitetet dhe frymëzon ëndrra dhe për këtë arsye, ne e shohim turneun e finaleve të EURO U-21 2027, që do të zhvillohet në Shqipëri dhe Serbi, si një rikujtesë të shkëlqyer se nuk ka kufij në futbollin evropian.
Futbolli është më shumë se historia e së shkuarës, është e ardhmja që ne po ndërtojmë dhe po e ndërtojmë së bashku”, tha presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin.