Në një telefonatë të zhvilluar sot në mëngjes, ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu i shprehu ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias ngushëllimet e tij për aksidentin tragjik hekurudhor në Tempi. ”Dendias falënderoi homologun e tij për solidaritetin e tij në këtë moment të vështirë”, tha Ministria e Jashtme greke në Twitter. Të paktën 36 persona u vranë dhe më shumë se 66 u plagosën kur një tren pasagjerësh u përplas dje në mbrëmje me një tren mallrash në Tempi, Greqia qendrore, pranë qytetit të Larisës, tha Shërbimi Grek i Zjarrfikësve. ”Nga 66 personat e lënduar, 23 mbeten ende në spital”, sipas zëdhënësit të Shërbimit Zjarrfikës, Vassilis Vathrokogiannis. Punonjësit e shpëtimit vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar duke u fokusuar në dy vagonët e parë të trenit të pasagjerëve. Ndërkohë ministri i Shëndetësisë Thanos Plevris po viziton spitalet ku janë transportuar të lënduarit. Shkaku i aksidentit fillimisht ishte i paqartë. Një tren pasagjerësh që vinte nga Athina në rrugë për në qytetin port verior të Selanikut u përplas ballas me një tren mallrash që udhëtonte në drejtim të kundërt, sipas raporteve fillestare nga zyrtarët hekurudhor. atsh