Është e rëndësishme që Kanadaja të forcojë lidhjet me aleatët e besueshëm në Evropë, tha sot kryeministri kanadez, Mark Carney, pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron në Paris mes tensioneve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas “Reuters”.
Vendimi i Carney për të vizituar Parisin në vend të Uashingtonit, siç është e zakonshme për liderët kanadezë, vjen pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump përshkallëzoi tensionet tregtare me Kanadanë dhe Evropën, si dhe kërcënoi aneksimin e Kanadasë.
“Është më e rëndësishme që Kanadaja të forcojë lidhjet e saj me aleatë të besueshëm si Franca”, tha Carney, përpara një drekë pune me Macron në Pallatin Elysee.
Pas takimit me Macron, kryeministri kanadez Carney vizitoi Londrën.
Macron tha se Kanadaja ishte një shembull i mirë i një vendi që mbron interesat e tij kombëtare duke qenë bashkëpunuese në skenën globale.
“Unë mendoj se ne të dy besojmë se tregtia e drejtë që respekton rregullat ndërkombëtare është e mirë për prosperitetin e të gjithëve dhe sigurisht është më efektive se tarifat”, tha Macron.
Trump ka tronditur aleatët perëndimorë duke vendosur tarifa për importet e tyre, duke vënë në pikëpyetje aleancat tradicionale madje dhe kërcënime për aneksimin e Kanadasë apo territorin danez të Groenlandës – që kur ai erdhi në detyrë në janar.
Është e paqartë se sa do të zgjasin tarifat e Trump, apo çfarë i shtyn aspiratat e tij që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.