Akademia e Shkencave ka uruar akad. asoc. Stefan Çapaliku për arritjen e tij më të fundit, përfaqësimin që i ka bërë letërsisë bashkëkohore shqipe në botimin e fundit të CNRS (Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor në Francë). “Historia e Letërsisë Europiane”, botim me 1194 faqe, që përditësohet një herë në 20 vjet (i njëjti edhe në gjuhën angleze nga shtëpia botuese prestigjioze “Routledge”), përbën tekstin bazë për të gjithë universitetet ku mësohet letërsia europiane. Tashmë pjesë e këtij botimi është edhe letërsia shqipe përmes Stefan Çapalikut, anëtar i Asamblesë së ASHSH. “Jam krenar që përfaqësoj letërsinë bashkëkohore shqipe në botimin më të fundit të CNRS. Faleminderit autorëve dhe kuratorëve të botimit”, është shprehur Çapaliku përmes rrjeteve sociale. Çapaliku kryesisht njihet si dramaturg. Ai është profesor i Estetikës dhe Teorisë së Dramës pranë Fakultetit të Artit Skenik, në Universitetin e Arteve të Bukura. Veprat e tij janë shfaqur në disa festivale ndërkombëtare të teatrit, ku ai është nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. atsh