Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron mbërriti sot në Izrael pas shpalljes së armëpushimit në luftën me lëvizjen islamike palestineze “Hamas”. Ish-kryeministri mbërriti në Izrael mes pasigurive të pauzës në luftime. Marrëveshja për një armëpushim katërditor në Gaza duket se ka hasur një pengesë të minutës së fundit. Një zyrtar i lartë izraelit tha se marrëveshja nuk do të hyjë në fuqi përpara të premtes, një ditë më vonë se sa pritej fillimisht. Marrëveshja parashikom shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza, me të burgosurit palestinezë që pritet të lirohen nga Tel Avivi. Pauza në luftime gjithashtu pritet të hapë rrugën për ndihmat humanitare në Gaza për të lehtësuar vuajtjet e qytetarëve që janë bombarduar dhe rrethuar nga Izraeli. Sekretari i Jashtëm britanik vizitoi Kibbutz Be’eri, vendin e ngjarjes më të rëndë gjatë sulmit të Hamasit. Vizita e Cameron vjen një ditë pasi ai u takua me homologët arabë dhe islamikë, përfshirë Autoritetin Palestinez, në “Lancaster House” në Londër për të diskutuar krizën e Lindjes së Mesme. Ministrat e Jashtëm nga Arabia Saudite, Jordania, Egjipti, Turqia, Indonezia dhe Nigeria, sekretari i përgjithshëm i Lidhjes së Shteteve Arabe dhe ambasadori i Katarit morën pjesë gjithashtu në aktivitet. Cameron tha se grupi diskutoi se si të shfrytëzohej pauza e planifikuar në luftimet Izrael-Hamas për të shqyrtuar mundësitë për një të ardhme paqësore që ofron siguri për Izraelin, por edhe paqe dhe stabilitet për popullin palestinez.
Cameron viziton Izraelin pas shpalljes së armëpushimit
RELATED ARTICLES