Mbretëria e Bashkuar do të sigurojë 30 milionë paund shtesë si ndihmë humanitare për Gazën, deklaroi sot sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron gjatë një vizite në Territoret Palestineze, sipas ”The Guardian”. Cameron do të takohet sot me liderët palestinezë dhe agjencitë humanitare. “Shpresojmë që sot të bëhet lirimi i pengjeve dhe ftoj të gjitha palët të vazhdojnë të punojnë për lirimin e secilit peng. Pauza do të lejojë gjithashtu mundësinë për ndihma për popullin e Gazës”, shtoi ai. Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron mbërriti dje në Izrael pas shpalljes së armëpushimit në luftën me lëvizjen islamike palestineze Hamas. Ish-kryeministri mbërriti në Izrael mes pasigurive të pauzës në luftime. Marrëveshja për një armëpushim katërditor në Gaza duket se ka hasur një pengesë të minutës së fundit. Një zyrtar i lartë izraelit tha se marrëveshja nuk do të hyjë në fuqi përpara të premtes, një ditë më vonë se sa pritej fillimisht. Marrëveshja parashikom shkëmbimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza, me të burgosurit palestinezë që pritet të lirohen nga Tel Avivi. Pauza në luftime gjithashtu pritet të hapë rrugën për ndihmat humanitare në Gaza për të lehtësuar vuajtjet e qytetarëve që janë bombarduar dhe rrethuar nga Izraeli. Sekretari i Jashtëm britanik vizitoi Kibbutz Be’eri, vendin e ngjarjes më të rëndë gjatë sulmit të Hamasit.
Cameron: 30 milionë paund ndihmë për Gazën
RELATED ARTICLES