Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako mori pjesë sot në aktivitetin e mbajtur në Zall Herr, për prezantimin e arritjeve dhe sfidave të së ardhmes në fushën e mbrojtjes.
Në fjalën e tij ai theksoi se, “pesë vite më parë, Shqipëria iu nënshtrua një reforme të thellë të sistemit të saj të menaxhimit të emergjencave, ku falë vizionit të qartë të qeverisë shqiptare u krijua një mekanizëm funksional, i cili vepron sot me një qasje proaktive, e orientuar në parandalim dhe gatishmëri”.
Sot, theksoi ai, “kemi një kushtetutë të mbrojtjes civile, e garantuar nga një bazë ligjore solide dhe praktika rregullatore konform kuadrit global të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të Objektivave të Qëndrueshmërisë së NATOs, të direktivave të Bashkimit Europian dhe atyre rajonale”.
“Themelimi i një institucioni jetik për sigurinë dhe mbrojtjen civile të vendit tonë, siç është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nën Ministrinë Përgjegjëse të Mbrojtjes, përbën një mision të fortë, për të ndërprerë paradigmat e së shkuarës dhe për të ndërtuar një sistem modern, të integruar dhe eficient në menaxhimin e përgjigjes emergjente”, tha Çako.
Ai shtoi se, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është struktura solide në zemër të sistemit, që ushtron autoritet koordinues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.
“Ky mision u materializua përmes implementimit të akteve nënligjore të menaxhimit strategjik të riskut nga fatkeqësitë natyrore, të një Plani Kombëtar për Emergjencat Civile dhe me vënien në funksion të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në ambjentet e reja pranë Garnizonit “Skënderbej”. QKOEC me shërbim 24/7 siguron komunikim të vazhdueshëm, duke realizuar shkëmbimin e informacionit dhe reagimin në kohë reale, ndërvepron me Qendren e Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive Euro-Atlantike (EADRҫ) dhe Qendren e Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERҫ)”, tha ai.
Falë këtyre arritjeve, nënvizoi Çako, “ Shqipëria që në janar të vitit 2023, me plotësimin në një kohë rekord të kritereve, bëhet një shtet pjesëmarrës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. Ky status, përpos vlerësimit përkthehet në një përgjegjësi të shtuar për bashkëpunim dhe solidaritet reciprok, sikurse në kritere për fuqizim dhe modernizim kapacitetesh të strukturave operacionale, investime të avancuara në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, zhvillime në mjete dhe paisje, rritje të ndërveprimit me strukturat homologe”.
“Me mbështetjen e Qeverisë shqiptare, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorëve vendas, po ndërtojmë ura të forta, përmes instrumenteve që konsistojnë në ngritjen e sistemit NICS (Next Generation Incident Command System), platformë për komandimin e Incidenteve, me mbështetjen e NATO-s i cili sherben për të ofruar një përgjigje të koordinuar si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar ndaj sulmeve kimike/biologjike, duke përfshirë të dhënat shëndetësore dhe mjedisore të disponueshme në platformë.
Ngritjen e “Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm” ndaj shumë rreziqeve, me mbulim kombëtar për të krijuar, për herë të parë, një sistem të përshtatshëm, drejt veprimeve të hershme të bazuara në parashikime, duke u mundësuar sektorëve ekonomikë dhe komuniteteve lokale – të ndërmarrin veprime në avancë, në parapritje dhe në përgjigje të ngjarjeve.
Forcimin e bashkëpunimit me pushtetin vendor, përmes rritjes së financimit në programin e emergjencave civile, instalimit të kulturës së menaxhimit të riskut të fatkeqësive, organizimit operacional, parandalues dhe rehabilitues.
Forcimin e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore të sistemit të MC, përmes zhvillimit të njohurive, ndërgjegjësim dhe sensibilizim”, tha Çako.
Ndërsa në aspektin operacional ai përmendi, “misionin e parë të AKMC jashtë kufijve të vendit tonë, ofroi ndihmë në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, si dhe operacionet për zjarret në Greqi, ndihmat për përmbytjet në Bosnje, së fundmi evakuimi i një familjeje nga Gaza. Angazhimin në stërvitje ndërkombëtare dhe programe afatgjata teknike”.
Ai prezantoi veçanërisht një nga iniciativat më të rëndësishme, që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të udhëheqë këtë vit, që është stërvitja funksionale ndërkombëtare FloodNorthALB FSX, e cila do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës nga data 7 deri më 12 prill.
“Një skenar gjithëpërfshirës mbi menaxhimin e një përmbytje, i cili do të mundësojë ndarjen e kapaciteteve dhe burimeve, përmirësimin e vendimmarrjes, përdorimin e mjeteve inovative dhe trajnimin e përbashkët. Kjo stërvitje me pjesëmarrjen e 8 shteteve anëtare do të testojë dhe përmirësojë procedurat e koordinimit kombëtar dhe ndërkombëtar nën monitorimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile (UCPM)”, tha ai.
Çako u shpreh se, “jemi të vetëdijshëm që duhet të përshpejtojmë përgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke qëndruar dinjitozë dhe të vlefshëm për fqinjët tanë dhe shtetet e tjer, ndaj për këtë kërkohet ende shumë bashkëpunim ndërinstitucional, kryesisht nga strukturat e sistemit të MC”.
“Duhet të avancojmë me plotësimin e kuadrit ligjor në zbatim të rekomandimeve të Unionit kryesisht për “Ngritjen dhe funksionimin e numrit të unifikuar te emergjencave 112”, hartimin e ligjit pë Infrastrukturën kritike, zhvillimin teknologjik për vendosjen e lidhjes TESTA, për ndërlidhjen me CECIS, harmonizimin e procedurave të Host National Support etj”, theksoi Kreu i AKMC.
“Prioritetet tona fokusohen gjithashtu në rritjen e koordinimit dhe komunikimit, përfshirjen e komunitetit në planifikim dhe përgjigje të situatave emergjente, edukimin qytetar dhe sensibilizimi për rreziqet natyrore dhe krizat”, tha Çako.