Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha se temperaturat e larta janë një risk i lartë për zjarre, çka lips një domosdoshmëri për angazhimin maksimal të njësive vendore. Në fjalën e tij, gjatë takimit të thirrur nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi me prefektët, kryetarët e bashkive si dhe drejtues të strukturave operacionale të mbrojtjes civile për të diskutuar në lidhje me masat për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit të verës, Çako tha se nga institucion i që ai drejton, gatishmëria është maksimale. “Kemi hyrë në ditët e nxehta të verës dhe, siç është paralajmëruar fatkeqësisht, do të jetë një periudhë po aq e nxehtë sa e vitit të kaluar, në mos disa herë më shumë, sikurse vijnë parashikimet zyrtare nga IGJEO. Realiteti në rajon dhe më gjerë na alarmon për të qëndruar më në gatishmëri se asnjëherë, kryesisht në monitorimin e zonave me risk më të lartë, por edhe të atyre me historik mbi zjarrvënie të qëllimshme”, tha Çako. “Për këtë qëllim, ritheksoj domosdoshmërinë për angazhimin maksimal të njësive vendore (në nivel qarku dhe bashkie), të cilat janë edhe përgjegjëse për të ruajtur dhe administruar territorin e tyre, sikurse në zbatim të parimit të subsidiaritetit duhet të shterojnë të gjitha kapacitetet lokale përpara se të drejtohen për ndihmë tek strukturat qendrore”, shton ai. “Gjatë muajit qershor-korrik 2023 janë shfaqur 125 vatra zjarri, nga të cilat 45 prej tyre vetëm në tre ditët e fundit dhe në toka bujqësore, pemëtari dhe sipërfaqe pyjore. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nëpërmjet shkresave zyrtare, por edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në takimet e zhvilluara me Komisionet e Mbrojtjes Civile në Prefektura ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të të gjithë strukturave të Mbrojtjes Civile në të gjitha nivelet, konkretisht vlen të përmenden: Organizimi i sistemit të monitorimit, paralajmërimit të hershëm, njoftimit dhe alarmit në territorin e njësisë administrative, bashkisë dhe qarkut, si dhe angazhimi i strukturave përgjegjëse për informim dhe përgjigje sa më të shpejtë në rast të rënies së zjarreve dhe vënia në dijeni e institucioneve sipas hierarkisë. Ka shumë rëndësi që të sinjalizojnë në kohë shërbimin zjarrfikës, sepse shpeshherë e kemi dhe nga eksperienca tani që aty ku bashkitë apo komunitetet vendore, kryepleqtë janë më të vëmendshëm dhe më bashkëpunues nuk kemi zjarre të mëdha, sepse sinjalizohen në kohë. Rritja e nivelit të gatishmërisë të strukturave të emergjencave civile në nivel bashkie. Duhet që të bëjnë të përditshme takimet me kryepleqtë e fshatrave, t’i sensibilizojnë, t’u japin numra telefoni, të tregojnë se si duhet njoftuar, të kenë shërbim monitorimi për zonat me bimësi të dendur dhe të sinjalizojnë më kohë dhe të ndërhyjnë në kohë. Asnjë zjarr nuk merr përmasa të mëdha nëse funksionon sistemi i monitorimit. Rritjen e vigjilencës nga strukturat e Shërbimit Pyjor, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, njësitë administrative dhe strukturave operacionale. Reagimi në kohë i strukturave të MZSH, vullnetarëve dhe strukturave të tjera në nivel vendor. Raportimi në kohë dhe në vazhdimësi pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile. Vlerësimi i situatës dhe planifikimi për mbështetje për kapacitete operacionale në nivel qendror pasi të jenë ezaururar të gjitha kapacitetet në nivel bashkie dhe qarku i kërkoni ndihmë për ndërhyrje Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ndjekja në terren e situatës nga sektorët e emergjencave në nivel vendor dhe caktimi i drejtuesit të operacionit me urdhër të kryetarit të bashkisë apo prefektit të qarkut në varësi të shkallës së emergjencës. Njoftimi i popullatës që mund të preket nga emergjenca dhe aktivizimi i planit të evakuimit në rastet që do të jetë e nevojshme. Bashkëpunimi me policinë e shtetit në nivel qarku dhe bashkie për kapjen dhe ndëshkimin e autorëve që shkaktojnë zjarret”, deklaroi Çako. “Gjithashtu, bazuar në VKM nr. 414, datë 08.07.2021, bashkitë, për përmbushjen e detyrimeve në kuadër të reduktimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjes civile, kanë përfituar nga buxheti qendror një fond të kushtëzuar për mbrojtjen civile, i cili do të shërbejë për marrjen e masave parandaluese, lehtësuese mbrojtëse dhe blerjen e materialeve dhe shërbimeve të ndryshme për mbrojtjen e jetës dhe pronës së njerëzve”, tha Çako. “Pavarësisht faktit që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, po asiston bashkitë dhe prefekturat në çdo faze të ciklit të menaxhimit të një emergjence, përmes mbështetjes teknike, administrative dhe operacionale, planifikimi, fuqizimi dhe menaxhimi i kapaciteteve lokale për mbrojtjen civile, duhet të jetë tashme një mision dhe vizion i patjetërsueshëm i juaji dhe i qeverisjes vendore. Nga ana tjetër prania këtu e MZSH, Policisë së Shtetit, AKP, AKZM, Forcave të Armatosura etj., tregon se vënia në funksion e çdo strukture sipas fushës së saj të përgjegjësisë garanton menaxhimin e suksesshëm të këtij sezoni”, shtoi Çako. “Kam bindjen se të gjithë së bashku do të angazhohemi të parandalojmë dhe zvogëlojmë shfaqjen e zjarreve, dhe jo vetëm, sikurse efektet negative që ato sjellin në jetën, ekonominë, mjedisin dhe shoqërinë tonë!”, përfundoi Çako. atsh