Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako u shpreh sot se qeveria shqiptare i ka hapur rrugë projekteve, që u mundëson bashkive të vendit mjete që rrisin kapacitetet reaguese ndaj zjarreve.

Gjatë një takimi me 61 drejtues të Shërbimit Zjarrfikës, ku i pranishëm ishte dhe Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, si edhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe emergjencave civile, Çaku nënvizoi mbështetjen e qeverisë për pushtetin lokal.

“Për vitin 2025, qeveria shqiptare ndryshe nga vitet e tjera në programin e Emergjencave Civile në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.129 të 28 shkurtit 2025 ka miratuar projekte fituese për mjete që do t’i akordohen bashkive për të rritur kapacitetet reaguese ndaj zjarreve”, tha Çako.

Çako tha se bashkëpunimi me pushtetin lokal dhe Policinë e Shtetit është një faktor kyç në menaxhimin e fatkeqësive natyrore, ndërsa theksoi se në 99% të rasteve, zjarret janë të qëllimshme dhe vihen nga dora e njeriut.

“Në dokumentin e rëndësishëm të vlerësimit të riskut kombëtar, miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, por edhe në strategjinë kombëtare për zvogëlimin e riskut, një nga fatkeqësitë natyrore që ekspozon vendin tonë janë zjarret në pyje, kullota dhe pemëtari. Është bërë e udhës që të jemi të gjithë në alert për gjithë kohën e verës pasi është një periudhë që duke pasur parasysh edhe trendin e jashtëzakonshëm rritës të turistëve përbën edhe çështjen më themelore të gjithë angazhimit të strukturave operacionale të sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri”, tha Çako.

Kreu i AKMC-së, pohoi se viti 2024 ishte një nga vitet me masivitetin më të lartë të zjarreve krahasuar me të gjitha vitet e mëparshme. “Në raportimin e sasisë së zjarreve apo të kapaciteteve të angazhuara në nivel kombëtar, përgjegjësia dhe investimi i qeverisë shqiptare për vitin 2024, por edhe vitet e tjera gjatë verës është i jashtëzakonshëm në burime njerëzore dhe kapacitete të tjera financiare”, pohoi ai.

Sipas Çakos, një nga elementët më të rëndësishëm në menaxhimin e fatkeqësive natyrore është paralajmërimi i hershëm, ndaj ai bëri thirrje për koordinim dhe bashkërendim të të gjitha strukturave nga ato operacionale, strukturave lokale dhe Policinë e Shtetit.

“Jam i ndërgjegjshëm për sakrificën tuaj, sa të gjithë kemi qenë pjesë e përfshirjes në menaxhimin e këtyre fatkeqësive, sidomos zjarreve ku rol luan paralajmërimi i hershëm. Është një element i parashikuar në Mbrojtjen Civile, por që luan një rol të jashtëzakonshëm sepse koha është mbi gjithçka në menaxhimin e këtyre fatkeqësive”, cilësoi Çako.