Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës vijon të tërheqë turistët vendas e të huaj edhe pse nuk ka nisur ende sezoni turistik. Dorina Dhima, specialiste e turizmit në Parkun Kombëtar të Butrintit, tha për ATSH-në se “gjatë periudhës janar-mars ky park u vizitua nga 2591 vizitorë vendas e të huaj”. “Konkretisht gjatë muajit janar parku u vizitua nga 430 turistë, në shkurt nga 729 turistë dhe në mars nga 1432 vizitorë, nga të cilët 487 vizitorë vendas, 741 vizitorë të huaj dhe 204 vizitorë pa biletë. Gjatë muajit mars 2023 nga shitja e biletave janë gjeneruar në total 101 75 00 lekë nga të cilët 342 100 lekë nga vizitorët vendas, 675 400 lekë nga vizitorë të huaj”, tha Dhima. Sipas saj, turistët gjatë vizitës në park shijojnë një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik, që ky vend të ofron në çdo stinë. “Në muajt në vijim pritet një fluks më i lartë i vizitorëve në parkun kombëtar të Butrintit”, tha Dhima. Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit. atsh