Deputetët në Bundestag-ut gjerman dënuan sot vdekjen e figurës së opozitës ruse Alexei Navalny dhe fajësuan presidentin rus Vladimir Putin. Kreu i Partisë së Gjelbër, Omid Nouripour theksoi se Putini mban përgjegjësi, të paktën politike, për vrasjen e Navalny. Navalny vdiq në paraburgim në një kamp burgu siberian javën e kaluar.
Qeveria gjermane kërkon që Moska të sqarojë plotësisht rrethanat e vdekjes dhe për këtë arsye ka thirrur ambasadorin rus në Ministrinë e Jashtme. Dietmar Bartsch nga “Die Linke” shprehu shqetësimet se regjimi i Kremlinit nuk i shmanget vrasjeve, shtypjes dhe arrestimeve arbitrare.
“Kushdo që kujdeset për lirinë dhe demokracinë duhet të dënojë regjimin që i trajton kritikët e tij në këtë mënyrë”, tha Sahra Wagenknecht, nga Aleanca Wagenknecht (BSW). Ligjvënësi Jürgen Braun i Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë dënoi gjithashtu sjelljen e Rusisë ndaj opozitës, por gjithashtu pretendoi se partia e tij ishte persekutuar në Gjermani, një qëndrim që përfaqësuesit e partive të themeluara e kundërshtuan.