Bukuritë natyrore të Gramshit

0
3

Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.

Një prej tyre ishte edhe videoja e Julian Shyqyriut, i cili zgjodhi destinacionet natyrore të Gramshit, që tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë unike.

Kanioni i Holtës, i vendosur në zemër të Gramshit, është një nga atraksionet më të spikatura të turizmit natyror në vendin tonë. Falë bukurisë së rrallë dhe veçorive të tij gjeologjike e natyrore, ky kanion tërheq mijëra vizitorë vendas e të huaj çdo vit. Ai përfaqëson një kombinim të rrallë të peizazhit të egër, biodiversitetit të pasur dhe bukurive të paprekura.

Ujëvara e Sotirës në Gramsh, konsiderohet një nga ujëvarat më të bukura të vendit tonë, rrëzë të Malit të Tomorrit. Veçantia e saj qëndron në faktin se përbëhet nga tre burime që depërtojnë malin nga lartësi të ndryshme (20-100 m), duke krijuar pamje mbresëlënëse. Uji që bie prej saj më pas formon lumin me të njejtin emër.

Nga ujërat termale te liqeni akullnajor i Dushkut, zona e Gramshit ofron për turistët pamje mbresëlënëse. Liqeni i Dushkut ose siç njihet ndryshe Liqeni i Zambakëve ndodhet në afërsi të fshatit Lenie, në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit. Ai është një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.