Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Shqipërisë, Kombet e Bashkuara dhe partnerët e zhvillimit u mblodhën në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për takimin e dytë të Komitetit Drejtues të programit të Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural (DART). Takimi shqyrtoi progresin e programit deri më sot dhe miratoi prioritetet për fazën e tij të ardhshme.

E bashkëkryesuar nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Randi Davis, koordinatore rezidente në detyrë e OKB-së dhe përfaqësuese rezidente e UNDP-së, seanca riafirmoi një angazhim të përbashkët për të sjellë inovacion digjital në sektorin bujqësor të Shqipërisë dhe për të zvogëluar pabarazitë midis zonave rurale dhe urbane.

“Ky program po transformon mënyrën se si mendojmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ne nuk po investojmë vetëm në teknologji, por edhe në njerëz, fermerë, të rinj dhe nëpunës publikë të cilët do të udhëheqin tranzicionin digjital të Shqipërisë në përputhje me vizionin e Bujqësisë 2030”, tha Denaj.

I zbatuar bashkërisht nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, programi DART mbështet zhvillimin e mjeteve, shërbimeve dhe aftësive digjitale për të përmirësuar produktivitetin bujqësor, ofrimin e shërbimeve dhe mundësitë e punësimit rural veçanërisht në përputhje me objektivat e integrimit në BE.