Sheshi i qytetit u kthye në një hapësirë të gjallë identitare, nën moton e bashkimit dhe krenarisë kombëtare ku u promovuan gatime të përgatitura nga gratë e zonës, me fëmijë që vallëzonin nën ritmet e këngëve shqiptare dhe me veshje tradicionale.

Në kuadër të manifestimit “NëntorLugina”, qindra qytetarë të moshave të ndryshme iu bashkuan atmosferës festive dhe plot emocione.

Organizatorët u shprehën se, qëllimi i këtij manifestimi ishte të sillte trashëgiminë kulturore, kulinare dhe identitare në zemër të Bujanocit duke e bërë këtë ditë një përjetim të përbashkët krenarie.

Aktiviteti u mbështet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë, e cila kontribuoi në organizim dhe gjithashtu u përkrah edhe nga Ambasada e Shqipërisë në Beograd.