Friday, November 22, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBSH: Veprimtaria e sektorit bankar, e qëndrueshme

BSH: Veprimtaria e sektorit bankar, e qëndrueshme

Banka e Shqipërisë miratoi sot Deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2023. Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023 (më tej, “periudha”), veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme. “Në tërësi, depozitat dhe kreditë u zgjeruan, por ritmet e rritjes ishin më të ulëta se në periudhat e mëparshme, duke reflektuar ndikimin e mbiçmimit të ndjeshëm të kursit të këmbimit të lekut. Në kushtet e nivelit më të lartë të normave të interesit, cilësia e kredisë pësoi një rënie të lehtë, por kreditë me probleme mbeten sërisht në nivelet më të ulëta historike”, thekson Banka Qendrore. Sipas BSH-së, në tërësi, ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve u paraqit i kontrolluar por rreziqet e kreditit dhe të tregut kërkojnë monitorim te vazhdueshem. Rezistenca e sektorit bankar ndaj rreziqeve vlerësohet e mirë, në kushtet kur treguesit e kapitalizimit mbetën në nivele të përshtatshme, ndërsa performanca financiare u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Gjithashtu, zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, dhe vecanërisht nga përmirësimet në llogarinë korrente të bilancit të pagesave. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. BSH-ja vëren se, politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste erdhën në rënie, por norma e inflacionit mbeti mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke reflektuar gjithnjë e më shumë kontributin e faktorëve ekonomikë të brendshëm. Banka e Shqipërisë vijoi me normalizimin e politikës monetare, duke theksuar se reagimi i saj i mëtejshëm do të reflektojë zhvillimet në faktorët përcaktues të inflacionit. BSH-ja thekson se, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishëm. Ato lidhen me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike dhe të tregjeve ndërkombëtare, por edhe me ecurinë e inflacionit dhe ndikimin e rreziqeve të tregut. Në këto kushte, mbetet e rëndësishme që politikat ekonomike të synojnë ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, ndërsa institucionet financiare dhe autoritetet mbikëqyrëse të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të forcuar rezistencën e sistemit financiar. Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments