Të ardhurat nga turizmi në ekonomi po ndjekin trendin në rritje të qëndrueshme, duke shënuar rritje progresive nga viti në vit.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat nga turizmi arritën rekordin e 1.95 miliardë eurove në 6-mujorin e parë të vitit, me një rritje prej 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhëna konfirmojnë fluksin në rritje të turistëve në vendin tonë.
Sipas INSTAT, 4.5 milionë shtetas të huaj erdhën në vendin tonë, në 6 muajt e parë të vitit, me një rritje prej 34% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Statistikat zyrtare të BSH-së, konfirmojnë rolin gjithnjë e më të madh të turizmit në ekonominë shqiptare.
Të ardhurat nga turizmi mbuluan më shumë se 40% të deficitit tregtar në mallra të ekonomisë shqiptare. Turizmi gjithashtu po jep një kontribut kryesor në përmirësimin e ekonomisë shqiptare, me deficitin më të ulët të llogarisë korente.
Gjithashtu referuar shifrave, prej vitesh, bilanci i udhëtimeve në vend është pozitiv, me të huajt që sjellin më shumë valutë, sesa nxjerrin udhëtarët shqiptarë jashtë.
“Në 6 mujorin e parë 2024, bilanci i udhëtimeve ishte 740 milionë euro, me një përmirësim prej 28% nga e njëjta periudhë e një viti më parë”, thekson BSH-ja.