556 vite më parë, u nda nga jeta Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405 – 17 janar 1468). Skënderbeu përmbledh një epokë të tërë historike nën emrin e tij. Me Skënderbeun në pozicionin e udhëheqësit të lëvizjes, lufta e shqiptarëve kundër pushtimit osman u ngrit në një shkallë më të lartë e të mirorganizuar, e cila solli një kthesë vendimtare në zhvillimin politik të Shqipërisë. Ai është përfaqësuesi më i shquar në luftën kundër pushtuesve osmanë dhe në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Lezhës, lidhje e cila hapi rrugën e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.
Rëndësi të veçantë, ai i kushtoi ruajtjes së burimeve të brendshme ekonomike tek të cilat mbështetej lufta. Me fuqizimin e mbrojtjes së brezit kufitar, ai u dha mundësinë viseve të lira të zhvillonin një veprimtari ekonomike deri diku normale. Krahas mbrojtjes së vendit, forcat e Skënderbeut u angazhuan në çlirimin e viseve të pushtuara, veprim i cili ndihmoi në forcimin e bashkimin e të gjithë popullit shqiptar. Duke kuptuar pabarazinë e theksuar midis forcave shqiptare dhe atyre osmane, ai zhvilloi strategjinë e tij luftarake që bazohej edhe në kërkesën e pareshtur për pjesëmarrje, bërë vendeve evropiane, në luftën kundër armikut të përbashkët.
Bashkëpunimi me shtete si: Republika e Venedikut, Shteti Papal, Mbretëria e Napolit dhe Republika e Raguzës, natyrshëm solli edhe intensifikim të veprimeve financiare me to. Marrëdhënie financiare kanë ekzistuar edhe me Perandorinë Osmane, ku përmendet kthimi, në këmbim të një shpërblimi monetar, i ushtarëve turq të zënë rob gjatë luftës. Veprimet financiare të Skënderbeut me shtetet e huaja kryheshin kryesisht me para në dorë nga kryearkëtari, që shërbente si ministër i financave. Ai mbante llogari mbi të ardhurat dhe shpenzimet e shtetit.
Principata e Kastriotëve, nën sundimin e Skënderbeut, përfshiu në një shtet plotësisht të pavarur pjesën më të madhe të trojeve shqiptare të pushtuara nga osmanët. Lidhja e Lezhës u bë i pari bashkim politik në shkallë kombëtare në historinë e Shqipërisë. Skënderbeu u zgjodh kryetar i Lidhjes dhe Komandant i përgjithshëm i saj. Trojet shqiptare mundën t’u bënin ballë vërshimeve të njëpasnjëshme, betejave masive, bllokadave dhe rrethimeve që organizuan Murati II dhe i biri, Mehmeti II, për më shumë se 25 vjet.
Skënderbeu vdiq i sëmurë në Lezhë dhe u varros po aty në vitin 1468.
Simbol i luftës për liri e pavarësi, dhe udhëheqës me vizion të qartë në përpjekjet për bashkimin e trojeve shqiptare, për shekuj me radhë, Skënderbeu ka qenë pjesa më e rëndësishme e historisë dhe e dinjitetit tonë kombëtar. Figura historike e Skënderbeut dhe çka ajo përfaqëson ka zënë vend në veprat e shumë artistëve, vendas e të huaj, në skulpturë, pikturë, letërsi e kinematografi, dhe padyshim, nuk mund të mungonte në serinë e kartëmonedhave të emetuara nga Banka e Shqipërisë.
Figura e Skënderbeut ka zënë vend në veprat e shumë artistëve vendas e të huaj, në skulpturë, pikturë, letërsi e kinematografi, dhe padyshim, nuk mund të mungonte në serinë e qarkullimit të parasë shqiptare, si dhe në emetimet përkujtimore.
Me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, Banka e Shqipërisë emetoi një seri monedhash numizmatike, të cilat i gjeni në shitje në Dyqanin e Muzeut të Bankës së Shqipërisë.