Banka e Shqipërisë ka vijuar të rrisë rezervën valutore edhe  gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të qershorit, rezerva valutore e vendit u rrit në vlerën e 6,7 miliardë eurove, ose 7,4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.

Rezerva valutore e vendit administrohet nga Banka e Shqipërisë dhe në pjesën më të madhe mbahet në tituj borxhi dhe në depozita.

Në fund të 6-mujorit të parë të vitit, titujt e borxhit përbënin afërsisht 73% të mjeteve të rezervës, ndërsa depozitat në cash përbënin 18% të saj. Pjesa e mbetur e rezervës është e investuar në ar dhe në të drejta tërheqjeje (SDR) pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Rezerva valutore është instrument i rëndësishëm për të amortizuar goditje të mundshme, të lidhura si me deficitin e llogarisë korrente, ashtu edhe me nivelin e lartë të Euroizimit të sektorit financiar në vend. Gjithashtu, rezerva valutore mund të shërbejë si instrument për të mbështetur me likuiditet në valutë sektorin financiar apo për të stabilizuar goditje në kursin e këmbimit valutor.

Për vitin 2025, BSH parashikon të blej në tregun e brendshëm valutor përmes ankandeve në total 270-350 milionë euro.