Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBSH publikon kalendarin e ankandeve të emetimit të bonove të thesarit

BSH publikon kalendarin e ankandeve të emetimit të bonove të thesarit

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të hapura sportelet e Bankës së Shqipërisë që kryejnë ndërmjetësimin e investimit të individëve vetëm në bono thesari në lekë të qeverisë shqiptare. Bonot e Thesarit janë një instrument i tregtueshëm borxhi me maturim deri në një vit, që emetohet dhe garantohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Ato emetohen në monedhë kombëtare (Lek) dhe në valutë dhe kanë afate maturimi fillestare 3, 6 dhe 12-mujore. BSH-ja publikoi kalendarin e ankandeve të emetimit të bonove të thesarit që përcaktohet nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Kalendari për tremujorin e katërt 2022: https://financa.gov.al/wp-content/uploads/2022/09/Kalendari-Q4_2022.pdf Normalisht, ankandet për emetimin e bonove të thesarit me afat maturimi 3 dhe 6-mujor, organizohen një herë në muaj, ndërsa ankandet për emetimin e bonove me afat maturimi 12-mujor organizohen çdo dy javë. Si rregull, ankandet zhvillohen ditën e martë, ndërsa emetimi i bonos bëhet dy ditë më vonë, ditën e enjte. Zhvillimi i ankandit njoftohet paraprakisht nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë nëpërmjet publikimit të informacionit në faqet përkatëse të internetit. Për t’u informuar automatikisht mbi ankandet e ardhshme të bonove të thesarit, vepro si më poshtë: Kliko linkun /Regjistrim_online/ → regjistrohu → zgjidh “Ankande të Bonove të Thesarit” Shuma minimale për të marrë pjesë në ankandet për blerjen e bonove të thesarit është 300.000 lekë. Kjo shumë mund të rritet me shumëfisha të 10.000 lekëve. Banka e Shqipërisë sjell në vëmendje se si mund të veprohet për pjesëmarrje në ankandet e bonove të thesarit. Individët mund të marrin pjesë në ankandet e bonove të thesarit nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga autoritetet përkatëse për këtë shërbim (këtë shërbim e ofrojnë bankat: Credins, Intesa Sanpaolo, BKT, ABI, Raiffeisen, OTP, Tirana dhe Banka e Parë e Investimeve) ose nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë. Nëse zgjidhni të kryeni veprimet nëpërmjet sporteleve të Bankës së Shqipërisë, ju lutem ndiqni procedurën e mëposhtme. Në rast se nuk zotëroni një llogari rrjedhëse me fonde të lira për pjesëmarrje në ankandin e bonove të thesarit, fillimisht duhet të paraqiteni pranë një banke tregtare për ta hapur një të tillë dhe për të derdhur fondet që do të investoni në bono. (Këtë shërbim e ofrojnë bankat: Credins, Intesa Sanpaolo, BKT, ABI, ProCredit, Raiffeisen, OTP, Tirana dhe Banka e Parë e Investimeve.) Urdhëroni bankën tregtare të bllokojë fondet në llogarinë tuaj për pjesëmarrje në ankand. Më pas, paraqituni pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë për hapjen e llogarisë së bonos së thesarit dhe nënshkrimin e kontratës tip me Bankën e Shqipërisë. Ju duhet të keni një dokument identifikimi, së bashku me numrin IBAN të llogarisë rrjedhëse pranë bankës tregtare, ku keni bllokuar fondet për investim. Dy ditë pas zhvillimit të ankandit, investitorit i kthehet mbrapsht në llogarinë e tij pranë bankës tregtare, skontoja e bonos së thesarit, që përcaktohet nga yield-i (norma e interesit të bonos) në ankand, sipas një formule të përcaktuar në broshurën që gjendet në linkun e këtij njoftimi. Në ditën e maturimit, kur investitori përfiton vlerën e plotë të bonos të blerë me çmim të skontuar (duke zbritur shumën që ka marrë në fillim), i mbahet tatimi prej 15% të vlerës së skontos”, njofton BSH-ja. Sipas BSH-së, të interesuarit mund të paraqiten: Në Tiranë: Rruga e Dibrës, Kompleksi “Halili”, Kulla A, Degët e Bankës së Shqipërisë në rrethe: Elbasan:Lagjja “28 Nëntori”, Rruga “11 Nëntori”, pranë Prefekturës Elbasan; Gjirokastër: Lagjja “Varosh”, pranë Qarkut Gjirokastër; Korçë:Bulevardi “Gjergj Kastrioti”; Lushnje: Lagjja “Kongresi i Lushnjes”, prapa Bashkisë Lushnje; Shkodër: Lagjja “Qemal Stafa”, Rruga “13 Dhjetori”, pranë Prefekturës Shkodër Sporteli i bonove të thesarit pranë Bankës së Shqipërisë është i hapur nga ora 8:30 deri në 13:30. Të gjitha veprimet me para cash kryhen vetëm pranë bankave tregtare dhe jo pranë sporteleve të Bankës së Shqipërisë.https://ata.gov.al/2022/11/23/bsh-publikon-kalendarin-e-ankandeve-te-emetimit-te-bonove-te-thesarit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments