Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi në mbledhjen e së mërkurës të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 2.75%.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se gjithashtu mbeten të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 1,75% dhe 3,75%.

Sipas tij, qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të BSH-së, për stabilitetit të çmimeve në të ardhmen. Gjithashtu, balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit 3% të inflacionit.

Në këtë kontest, vijoi Guvernatori, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste.

Sejko deklaroi se, “vendimet e Këshillit Mbikëqyrës do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin e stabilitetit të çmimeve, ecurinë e kursit të këmbimit në vend, si dhe me zhvillimet potenciale në tregjet ndërkombëtare dhe partnerëve të huaj tregtarë”.