Mbiçmimi i Lekut u ngadalësua, duke zbritur në 4.7% në tremujorin e parë të vitit 2025, nga 5.6% që ishte në tremujorin e mëparshëm (tremujori i fundit i vitit 2024).

Banka e Shqipërisë publikoi së fundmi raportin e tremujorit të politikës monetare. Në raport theksohet se, qëndrueshmëria e kursit të këmbimit vijoi edhe gjatë muajit prill, ku kursi euro/lek rezultoi 99.1, pranë mesatares së vërejtur në muajin mars, ndërsa forcimi vjetor i Lekut u reduktua më tej, në 2.4%.

Banka e Shqipërisë njofton se, situata në tregun valutor ka qenë e qetë, e karakterizuar nga luhatshmëri e ulët e kursit brenda intervaleve normal.

Ndërkohë që volumet e tregtimit në tregun valutor, pavarësisht rënies sezonale krahasuar me tremujorin e katërt, kanë vijuar të rriten në tremujorin e parë, me rreth 12%.

Sipas BSH-së, ecuria e Lekut kundrejt Dollarit amerikan është ndikuar më së shumti nga luhatjet në tregun ndërkombëtar të këtij të fundit.

Leku u nënçmua ndaj Dollarit në dy muajt e parë të vitit, ku një dollar amerikan u kuotua mesatarisht me 95.1 lekë, nga 93.9 lekë në dhjetor të vitit të kaluar. Më pas, dobësimi i Dollarit amerikan në tregun ndërkombëtar, si pasojë e pasigurive mbi efektet e politikave tregtare të ndërmarra nga SHBA-të, diktoi rënien e kursit usd/lek në muajt mars dhe prill.

Në muajin prill, kuotimi mesatar për dollarin ishte 88.4 lekë, nivel ky 6.6% më i ulët se ai i një viti më parë.