Banka e Shqipërisë bëri të ditur sot se raporti i kredive me probleme në maj 2025, shënoi nivelin 4,12%, nga 4,03% që ishte një muaj më parë (prill 2025).

Sipas BSH-së, ky tregues shënon rritje, por ai mbetet në rënie me bazë vjetore. Kredia me probleme në muajin maj 2024 shënoi nivelin 4,81%.

Referuar statistikave, kreditë me probleme në muajin maj 2025, vlerësohen në vlerën 36,3 miliardë lekë nga 37,7 miliardë lekë që ishin në maj 2024.

BSH-ja, thekson se, performanca e sektorit bankar paraqitet mjaft e mirë, me fitime që kanë arritur vlerat më të larta historike. Kjo po ndikon në rritjen e ofertës për kredi që ka impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e ekonomisë së vendit.

Në fund të muaji maj të këtij viti, portofoli i kredisë për ekonominë shënoi një rritje vjetore me 12,5%, trend që vijon në muajt në vijim, bën të ditur BSH-ja.